Gazetari Ermal Vija thotë se hetimi për operacionin e koduar “RYDOX”, ku u arrestuan 3 persona pasi shisnin të dhëna personale të qytetarëve amerikanë, ishte iniciuar nga autoritetet në SHBA.
Në emisionin “Real Story” në ABC News, Vija u shpreh se një prej të arrestuarve ishte rezident në vendin tonë.
Ndërsa eksperti i kriminalistikës, Ervin Karamuço deklaroi se finalizimi i këtij operacioni, është një arritje shumë e rëndësishme e bashkëpunimit ndërkombëtar.
Karamuço theksoi se krimet kibernetike nuk njohin kufi, teksa shtoi se SPAK ka pasur bashkëpunim me partnerët amerikanë.
Ermal Vija: Në Shqipëri, edhe në Kosovë. Janë 3 shtetas kosovarë që janë ndaluar me urdhër të Prokurorisë së Posaçme. Personi i cili drejtonte faqen, e cila tregtonte të paktën 8 mijë të dhëna të qytatarëve amerikanë, të dhëna sensitive të këtyre qytetarëve, të cilat i tregtonte nëpërmjet faqeve online, ishte rezident në vendin tonë. Ka qenë një hetimi i iniciuar, apo informacionet e përcjella nga autoritetet e huaja, nga ato amerikane, kjo faqe në rast se tani klikohet, del që është e bllokuar dhe e mbyllur. Nuk ka më akses për të marrë të dhëna të tjera. Është një operacion që nuk ishte i njohur në vendin tonë. Në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtarë, kanë arritur të godasin këtë grup kriminal.
Ervin Karamuço: Një arritje shumë e rëndësishme e bashkëpunimit ndërkombëtar. Krimet kibernetike nuk njohin kufi. Këta punojnë me VPN, që vendndodhjen e tyre e shesin sikur janë diku tjetër. Është mbajtur nën vëzhgim. Ka pasur një bashkëpuinim shumë të ngushtë me partnerët tanë amerikanë dhe ka ndodhur kjo. Këtu flitet për shtetas amerikanë të cilëve iu janë vjedhur të dhënat. Ka një alarm të madh në SHBA këto kohë, krimi i organizuar aty, ka modifikuar disa aparate, që lexojnë në distanca të afërt kartat e kreditit, RFID. Janë me radiofrekuencë. T’i merr të gjitha të dhënat e kartës që ka një person në 10-15 centimetra dhe i shesin online. Një nga veprimtarë ka qenë edhe kjo. Shitja në treg të zi. SPAK është komponent shumë i rëndësishëm. Është fuqizuar shumë me aparatura të reja./abcnews.al