Tregu i Arsimit të Lartë, Autoriteti i Konkurrencës shtyn hetimin me 5 muaj

AKTUALITET


Autoriteti i Konkurrencës ka vendosur të zgjasë edhe me 5 muaj Hetimin e Përgjithshëm në Sektorin e Arsimit të Lartë, për shkak se mungojnë informacionet e kërkuara nga disa Universitete publike dhe private, të nevojshme për kryerjen e procedurës së hetimit të përgjithshëm në sektorin e arsimit të lartë.

Hetimi ishte hapur në nëntor të vitit të kaluar dhe raporti parashikohej të ishte gati më 26 maj. Por, sipas Autoritetit të Konkurrencës, për shkak të mungesës së informacioneve të kërkuara nga disa universitete publike dhe private, Komisioni i Konkurrencës ka vendosur ta shtyjë hetimin me pesë muaj të tjerë, deri në fund të tetorit të këtij viti.

Vitin e kaluar, Autoriteti i Konkurrencës realizoi një studim në sektorin e arsimit të lartë. Studimi konkludoi se diversiteti në këtë treg ka krijuar një treg të larmishëm, ku studentët janë të lirë të zgjedhin. Zgjedhja e tyre, mbështetet në informacionin e ofruar nga mekanizmat shtetërorë dhe nga vetë shkollat e larta publike ose private. Sipas Autoriteti të Konkurrencës, ky informacion duhet të jetë i dhënë saktë në mënyrë reale dhe transparente, sepse vetëm kështu ai krijon besueshmëri dhe mundësi më të madhe zgjedhje nga studenti.

Pas vlerësim të gjetjeve, Autoriteti u shpreh se është e vështirë të konkludohet për konkurrencën në Sektorin e Arsimit të Lartë dhe për këtë nevojitet një trajtim më i thelluar dhe më gjithëpërfshirës. Për këtë qëllim, u vendos hapja e një hetimi të përgjithshëm, që do të përfshijë periudhën nga 1 janari 2017 deri në 26 tetor 2019.



Skip to toolbar