Një makinë ka shpërthyer gjatë natës në qytetin e Vlorës. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 2:50 të mëngjesit, ndërsa automjeti është në pronësi të prokurorit të Vlorës, Albert Kuliçi. Makina ka pësuar dëme të konsiderueshme ndërsa në momentin e shpërthimit ka qenë e parkuar para derës së banesës së prokurorit.
Fatmirësisht nga shpërthimi nuk ka pasur persona të lënduar por vetëm dëme materiale.
Nga hetimet paraprake është zbuluar se makina tip ‘Golf 5 Plus’ ka shpërthyer për shkak se i është vënë lëndë plasëse, tritol. Lënda plasëse automjetit i është vënë në pjesën e përparme.
Policia ka shkuar në vendin e ngjarjes dhe ka rrethuar skenën e ngjarjes. Ndërkohë një grup hetimor po punon për zbardhje e plotë të kësaj ngjarje. Po ashtu në vendin e ngjarjes është parë edhe vetë prokurori Kuliçi i cili do të jap edhe dëshminë e tij rreth kësaj ngjarje, pasi dyshohet për atentat për shkak të detyrës.
Albert Kuliçi, me origjinë nga Tropoja, ka patur vitet e fundit në dorë çështjet më të bujshme në Vlorë, duke filluar nga skandali i madh i tjetërsimit të pronave në Karaburun dhe Zvërnec, ku i përfshirë ishte edhe biznesmeni Pëllumb Petritaj, deri te koncesioni i parkingjeve në qytetin bregdetar i cili u anulua pas u konstatuan një seri shkeljesh.
Kuliçi ka hetuar edhe një aferë në Albpetrol, si dhe ka kërkuar vendosjen e sekuestros për një pallat 11 katësh në Vlorë, për të cilin u akuzua për shpërdorim detyre ish-kryebashkiaku Shpëtim Gjika.
Prokurori Kuliçi nuk i është nënshtruar ende procesit të vetting-ut.