Tritoli ndaj prokurorit, KLP merr në mbrojtje Kuliçin: Akt terrorist ndaj sistemit të drejtësisë

AKTUALITET


Këshilli i Lartë i Prokurorisë ka zhvilluar një mbledhje të jashtëzakonshme pas atentatit me tritol që iu vendos makinës së prokurorit të Vlorës, Albert Kuliçit. KLP e cilëson këtë ngjarje, një akt të papranueshëm që synon të intimidojë prokurorin. Madje KLP e cilëson këtë atentat një akt terrorist ndaj sistemit të drejtësisë në tërësi.

“Këshilli i Lartë i Prokurorisë, pasi mësoi me indinjatë të thellë për aktin kriminal që ka ndodhur sot, në orët e para të mëngjesit, kundër pronës të prokurorit Albert Kuliçi, prokuror pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Vlorë, u mblodh në një mbledhje të jashtëzakonshme për të shqyrtuar reagimin ndaj ngjarjes.

Pa dashur të paragjykojmë përfundimet e hetimit, të cilat i presim me padurim, ajo që ka ndodhur sot në Vlorë duket si një sulm i shënjestruar ndaj prokurorit për shkak të funksionit të tij. Si i tillë, ky sulm përbën një akt të papranueshëm që synon të intimidojë prokurorin dhe të cenojë mirëfunksionimin e sistemit të drejtësisë penale në luftën kundër krimit.

Këshilli i Lartë i Prokurorisë e konsideron çdo sulm kundër prokurorëve si një atentat terrorist ndaj sistemit të drejtësisë penale, rendit tonë juridik, vlerave tona shoqërore dhe mënyrës tonë të jetesës. Për këtë arsye ne e konsiderojmë mbrojtjen e prokurorëve të Republikës si detyrën nr. 1 të Këshillit”, njofton KLP.

Në mbledhjen e jashtëzakonshme KLP ka vendosur t’i sigurojë mbrojtje të posaçme prokurorit Kuliçi dhe familjes së tij.

Gjithashtu, Këshilli u bën thirrje të gjitha organeve ligjzbatuese të hetojnë me këmbëngulje dhe përparësi absolute ngjarjen për të arritur në zbardhjen e saj të plotë dhe të shpejtë. Sipas KLP-së, kjo është mënyra më e mirë për t’i dhënë përgjigjen e duhur krimit dhe për të parandaluar ngjarje të tilla në të ardhmen.

“Këshilli i Lartë i Prokurorisë do të ndjekë me interes punën e grupit posaçëm hetimor deri në zbardhjen përfundimtare të ngjarjes dhe do të mbetet në gatishmëri për kryerjen e detyrave që ia ngarkon ligji. Këshilli i Lartë i Prokurorisë inkurajon Z. Kuliçi dhe të gjithë trupën e prokurorëve të vazhdojnë luftën pa kompromis kundër krimit”, njofton KLP.



Skip to toolbar