Kandidati Republikan për garën presidenciale të Nëntorit, Donald Trump dhe ekipi i fushatës së tij kanë akuzuar Partinë Laburiste në Mbretërinë e Bashkuar se po ndërhyn në zgjedhjet presidenciale Amerikane.
Ekipi i Trump ka paraqitur ankesën e tyre në Komisionin Federal të Zgjedhjeve në Shtetet e Bashkuara duke akuzuar laburistët Britanikë të Kryeministrit Keir Starmer se kanë dërguar aktivistë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës për të ndihmuar kandidaten Demokrate Kamala Harris me fushatën e saj.
Sipas Donald Trump kjo konsiderohet ndërhyrje e huaj në zgjedhjet presidenciale Amerikane. Në dokumentin e dorëzuar në Komisionin Federal të Zgjedhjeve ku citohet raportet e mediave në lidhje me kontaktin midis Laburistëve dhe ekipit të fushatës së Harris shkruhet se këto përpjekje vullnetare në fakt janë një kontribut I paligjshëm në zgjedhjet Amerikane. Sipas ekipit të fushatës presidenciale të Trump,individë të lidhur me Laburistët kanë udhëtuar enkas në SHBA për të bërë fushatë për Harris.
Ankesa i referohet gjithashtu një raporti në Washington Post, i cili pretendon se zyrtarë të lartë janë takuar privatisht. Ankesa i referohet gjithashtu një postimi në rrjetet sociale, në të cilin një anëtar i stafit “gati 100 veta staf i Partisë Laburiste” do të shkojnë në SHBA në javët e ardhshme” për të mbështetur Harris.
Në një përgjigje për BBC News, kryeministri britanik Keir Starmer tha se zyrtarët e partisë që dolën vullnetarë për Harris “po e bënin këtë në kohën e tyre të lirë”.
“Partia e Punës ka vullnetarë, të cilët jane angazhuar pothuajse ne çdo pale zgjedhje Amerikane. Ata po e bëjnë këtë në kohën e tyre të lirë, ata po e bëjnë atë si vullnetarë, ata po qëndrojnë, mendoj, me vullnetarë të tjerë atje. Kështu kanë bërë në zgjedhjet e mëparshme, kështu po bëjnë edhe në këto zgjedhje”, është shprehur Starmer.