Trump dhe Macron, dakord që Rusia të ftohet në samiti e G-7

AKTUALITET


Presidenti i SHBA Donald Trump dhe Presidenti francez Emmanuel Macron kanë rënë dakord se Rusia duhet të ftohet për të marrë pjesë në samitin e G-7s vitin e ardhshëm, megjithëse udhëheqësi francez dëshiron që ftesa të jepet me kusht që Rusia të bëjë përparim në bisedimet për paqen në Ukrainë.

Rusia duhet të jetë pjesë e G7s, thotë Presidenti Trump, duke fajësuar ish-presidentin Barack Obama për pezullimin e Rusisë nga ky grup në vitin 2014.

“Për shkak se Putini ia hodhi, Presidenti Obama mendoi se nuk ishte gjë e mirë që Rusia të ishte pjesë e grupit, prandaj kërkoi daljen e saj,” tha Presidenti Trump.

Ajo që dihet është se ish-Presidenti Obama dhe një shumicë e vendeve të G-8s donin daljen e Rusisë, pasi Presidenti rus Vladimir Putin aneksoi Krimenë nga Ukraina

Sugjerimi i zotit Trump për ta rikthyer Rusinë në tryezë nuk ishte befasi për shumicën e analistëve.

“Mendoj se deklaratat e presidentit janë në përputhje me përpjekjet e tij për ta kthyer gradualisht Rusinë në bashkësinë ndërkombëtare pa kushte paraprake. Mendoj se është kundër-produktive dhe e rrezikshme që t’i dërgohet Rusisë sinjali se në thelb ajo mund të ftohet përsëri në klubin e lojtarëve të respektuar ndërkombëtarë, edhe pse vazhdon të mbajë të mbajë të pushtuar jo vetëm Krimenë, por edhe Ukrainën Lindore,” thotë Mark Simakovsky i Këshillit Atlantik në Uashington.

Në një bisedë telefonike me zotin Trump, Presidenti francez Macron ra dakord se pezullimi i Rusisë duhet të hiqet, por me një parakusht shumë të qartë: që të ketë përparim në bisedimet e paqes për Ukrainën.

Disa në bashkësinë diplomatike besojnë se arritja e rezultateve të prekshme në këto bisedime duhet të përcaktojë nëse G-7 mund të bëhet përsëri G-8 me pjesëmarrjen e Rusisë në vitin 2020.

“Është e qartë se Franca është shumë e përfshirë dhe e angazhuar në dialogun e Minskut, për zgjidhjen e konfliktit në Ukrainë. Mendoj se deklaratat e zotit Macron janë një joshje që Federata Ruse të arrijë ndonjë përparim pozitiv për paqen në Ukrainë,” thotë Mark Simakovsky.

Në Moskë, kreu i Komisionit të Punëve të Jashtme të Dumës së Shtetit, Leonid Slutsky, i tha agjencisë së lajmeve TASS se kthimi në G-8 nuk është qëllim në vetvete për Rusinë.

Zyrtarë të lartë të administratës amerikane thonë se Presidenti Trump pritet ta ngrejë çështjen nëse Rusia duhet të kthehet në tryezë kur G-7a të mblidhet në Francë këtë fundjavë./VOA/



Skip to toolbar