Bombat në Liban po vrasin armëpushimin e brishtë. Irani njofton se negociatat e planifikuara për të shtunën me Shtetet e Bashkuara në Pakistan janë pezulluar, derisa Izraeli të ndalojë sulmet në vendin fqinj.
Kështu raporton agjencia e lajmeve Tasnim, një media e lidhur ngushtë me Gardën Revolucionare, ndërsa nënvizon se nuk është e vërtetë që ekipi negociator Iranian ka mbërritur tashmë në Islamabad.
Gjatë natës dhe deri në mëngjesin e sotëm, disa njerëz pranë kryeqytetit Teheran, dhe në pjesë të tjera të vendit raportuan se kishin dëgjuar tinguj të ngjashëm me të shtëna me armë zjarri dhe shpërthime që vinin nga sistemet e mbrojtjes ajrore. Gazeta Times of Israel e raporton këtë, duke shtuar se qeveria iraniane nuk ka pranuar ndonjë sulm gjatë asaj kohe. Presidenti Amerikan, Donald Trump, kritikon mënyrën se si Irani po e trajton Ngushticën e Hormuzit, një pjesë kyçe e marrëveshjes së përkohshme të armëpushimit midis Uashingtonit dhe Teheranit.
Në një seri postimesh në Truth Social, ai thotë se Irani po bën një “punë shumë të dobët” në menaxhimin e rrugës ujore, ku kalon 20% e naftës botërore.
“Ka raportime se Irani po u ngarkon tarifa cisternave që kalojnë nëpër Ngushticën e Hormuzit. Më mirë të mos e bëjnë këtë dhe, nëse po e bëjnë, më mirë të ndalojnë tani!”, deklaroi Trump.
Ndërkohë, Izraeli ka goditur disa lokacione që shërbenin si magazina për raketat e Hezbollahut dhe grupi me bazë në Liban është kundërpërgjigjur me sulme ndaj disa objektivave në shtetin hebre. Por ka një dritare të vogël shprese.
Kryeministri Benjamin Netanyahu thotë se Izraeli dëshiron bisedime të drejtpërdrejta me Libanin për çarmatosjen e Hezbollahut dhe këmbëngul se Libani nuk është pjesë e marrëveshjes së armëpushimit. Zyrtarët libanezë thonë se nuk kanë dëgjuar për një takim të mundshëm midis Bejrutit dhe Uashingtonit.
