Trump: Mënyra si Irani trajton Ngushticën e Hormuzit, nuk është marrëveshja që kemi

BOTA


Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka akuzuar Iranin se po bën një “punë shumë të dobët” në menaxhimin e trafikut të naftës përmes Ngushticës së Hormuzit, duke theksuar se kjo nuk ishte marrëveshja që ata kishin. Deklaratat e tij pasqyrojnë brishtësinë e marrëveshjes së armëpushimit dhe konfuzionin mbi përfshirjen e palëve në të.

Ndërkohë, kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu njoftoi se Izraeli do të nisë bisedime të drejtpërdrejta me Libanin, të përqendruara në çarmatimin e Hezbollahut dhe vendosjen e marrëdhënieve paqësore. Një zyrtar i Departamentit të Shtetit të SHBA-së konfirmoi se javën e ardhshme në Uashington do të mbahet një takim për të diskutuar negociatat e vazhdueshme.

Megjithatë, mesazhet nga palët mbeten kontradiktore. Zyrtarët libanezë kanë kërkuar armëpushim para nisjes së bisedimeve, por Netanyahu deklaroi qartë: “Nuk ka armëpushim në Liban”. Pavarësisht kësaj, Trump tha se Izraeli pritet të “zvogëlojë” sulmet për të mbështetur përpjekjet diplomatike, pas një bisede telefonike me Netanyahun. Sulmet izraelite në Liban vazhduan gjatë së enjtes (9 prill), duke synuar pozicione të Hezbollahut në jug, ndërsa gjatë natës u raportua një ulje e përkohshme e intensitetit. Situata humanitare mbetet kritike. Kreu i Organizata Botërore e Shëndetësisë, Tedros Adhanom Ghebreyesus, paralajmëroi për rrezikun ndaj spitaleve në Bejrut, ku rreth 450 pacientë – përfshirë 40 në kujdes intensiv – nuk mund të evakuohen.

Sipas autoriteteve libaneze, mbi 1,150 persona janë plagosur dhe të paktën 303 janë vrarë nga vala e fundit e sulmeve. Situata komplikohet më tej nga fakti se selia e Ministrisë së Shëndetit ndodhet në zonë evakuimi dhe strehon mbi 5,000 persona.

Konfuzioni mbi armëpushimin është thelluar edhe më shumë nga deklarata kontradiktore mbi përfshirjen e Libanit. Zyrtarët iranianë dhe ndërmjetës nga Pakistani kanë sugjeruar se Libani është pjesë e marrëveshjes, ndërsa SHBA-ja dhe Izraeli e kanë mohuar këtë.

Në këtë klimë tensioni, Irani ka kërcënuar të bllokojë trafikun detar në Ngushticën e Hormuzit dhe të ndërmarrë sulme hakmarrëse. Trump paralajmëroi në rrjetin Truth Social se raportimet për tarifa ndaj cisternave janë të papranueshme, duke shtuar: “Më mirë të ndalen tani”.



Skip to toolbar