Trump, personazh i vitit nga TIME/ Minxhozi: U ngrit në lartësinë e tij si asnjë figurë tjetër

Më të fundit


Analisti Skënder Minxhozi thotë se Donald Trump ishte personazhi i vitit me fitoren që shënoi në zgjedhjet e Nëntorit në SHBA, por edhe me betejën e tij me drejtësinë. Në studion e emisionit “Real Story” të gazetarit Sokol Balla, ai tha se Trump arriti që të ngrihej si figurë si askush tjetër.

“Besoj se është përcaktimi i revistës TIME nga pikëpamja filozofike më i drejtë sepse heroi natyrisht nënkupton gjithmonë pozitiven, por jetën e publikun e impaktojnë shpesh personazhe që veprojnë për mirë ose edhe jo për mirë. Rasti i Trump është një rast klasik i tillë, kur ai me një set premtimesh, të cilat gjatë ditëve të fundit të këtij viti, sikur po lëkunden dhe vihen në rrezik nga marrja de facto e presidencës në dorë dhe vënia përballë e vetë premtimeve me realitetin amerikan të sotëm.

Është një figurë me plot dritëhije, e cila ka krijuar një pritshmëri të jashtëzakonshme në publikun amerikan, por me atë që thotë dhe mbron krijon më shumë sesa një dyshim te ata që e dëgjojnë. Si i tillë, ai e ka spektrin e fitimtarit dhe personazhit të vitit në Amerikë dhe besoj se e ka me të drejtë sepse në lartësinë e tij nuk u ngrit dot asnjë figurë tjetër politike kundërshtare, e showbizzit, sportit, e jetës publike në Amerikë. Pra, nuk kishim një të tillë.”, u shpreh Minxhozi./abcnews.al



Skip to toolbar