Presidenti amerikan, Donald Trump e ka prezantuar një skemë që mundëson sigurimin e vizës amerikane për periudhë afatgjatë për të pasurit që mund të paguajnë të paktën 1 milion dollarë.
Trump ka thënë përmes postimeve në rrjete sociale se viza do t’iu mundësojë blerësve të vizës “hyrjen direkte në rrugën për shtetësi për të gjithë personat e kualifikuar dhe verifikuar”.
“Sa emocionuese! Kompanitë tona të mrekullueshme amerikane më në fund do ta mbajnë talentin e tyre të çmuar”.
E ashtuquajtura Karta e Artë Trump, është prezantuar për herë të parë më herët gjatë këtij viti, dhe atë mund ta blejnë ata që dëshmojnë se do t’iu ofrojnë Shteteve të Bashkuara “përfitime domethënëse”.
Skema e re premton sigurimin e lejes së qëndrimit në SHBA në “kohë rekord” dhe kushton 1 milion dollarë për të vërtetuar se një individ do të kontribuojë shumë për SHBA-në, sipas faqes zyrtare të programit.
Bizneset që i sponsorojnë vizat për punëtorët e huaj duhet të paguajnë 2 milionë dollarë, pa përfshirë tarifat shtesë.
Një version tjetër i vizës që parasheh edhe kushte shumë të favorshme për taksa, është thënë se do të jetë e qasshme shumë shpejt për 5 milionë dollarë.
Tarifat shtesë qeveritare mund të ndryshojnë varësisht se kush aplikon, kanë bërë të ditur autoritetet.
Kur Trump e ka prezantuar planin për herë të parë, ai i ka përshkruar vizat të ngjashme me ato ekzistuese në kuadër të programit të njohur si “karta e gjelbër”, e cila u mundëson imigrantëve me të ardhura të ndryshme që të jetojnë dhe punojnë përgjithmonë në Shtetet e Bashkuara.
Poseduesit e këtij lloji të lejes së qëndrimit mund të aplikojnë për shtetësi pas pesë vjetësh. Mirëpo, Trump ka thënë se programi i ri është specifik për profesionistë “të nivelit të lartë”. “Ne duam njerëz që janë produktivë”, ka deklaruar mes tjerash ai./rel
