Trump rrit tarifat ndaj importeve nga Koreja e Jugut në 25%, tensione mes Uashingtonit dhe Seulit

BOTA


Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka njoftuar rritjen e tarifave doganore ndaj importeve nga Koreja e Jugut në nivelin 25%, duke akuzuar Seulin se nuk po respekton plotësisht marrëveshjen tregtare të arritur mes dy vendeve vitin e kaluar.

Në një postim në rrjetet sociale, Trump deklaroi se tarifat do të rriten nga 15% në 25% për një gamë të gjerë produktesh, përfshirë automjetet, lëndën drusore, produktet farmaceutike dhe, sipas tij, të gjitha tarifat e tjera reciproke. Ai theksoi se ndërsa SHBA-të kanë vepruar shpejt për të ulur tarifat e tyre në përputhje me marrëveshjen, parlamenti i Koresë së Jugut ka vonuar miratimin e saj.

Nga ana tjetër, qeveria e Koresë së Jugut reagoi duke thënë se nuk kishte marrë ende një njoftim zyrtar për vendimin e rritjes së tarifave dhe kërkoi bisedime urgjente me palën amerikane. Ministria e Industrisë bëri të ditur se ministri Kim Jung-kwan, i cili ndodhet aktualisht në Kanada, do të udhëtojë drejt Uashingtonit sa më shpejt të jetë e mundur për t’u takuar me Sekretarin amerikan të Tregtisë, Howard Lutnick.

Lajmi pati ndikim të menjëhershëm në tregjet financiare. Indeksi kryesor i bursës së Seulit, Kospi, ra në orët e para të së martës, por më vonë gjatë ditës u rikuperua dhe u rrit me rreth 1.8%, teksa aksionet e eksportuesve të mëdhenj rifituan terren.

Marrëveshja tregtare mes Seulit dhe Uashingtonit u arrit në tetor të vitit të kaluar dhe përfshinte një angazhim të Koresë së Jugut për të investuar rreth 350 miliardë dollarë në ekonominë amerikane, përfshirë projekte në sektorin e ndërtimit të anijeve. Një muaj më vonë, të dy vendet ranë dakord që SHBA-të të ulnin tarifat për disa produkte, sapo Koreja e Jugut të fillonte procedurat për miratimin zyrtar të marrëveshjes.

Dokumenti u dorëzua në Asamblenë Kombëtare të Koresë së Jugut më 26 nëntor dhe aktualisht ndodhet në shqyrtim. Mediat lokale raportojnë se marrëveshja pritet të miratohet në muajin shkurt. Tarifat doganore paguhen nga kompanitë importuese, çka do të thotë se në këtë rast, bizneset amerikane do të duhet të paguajnë një taksë prej 25% për mallrat që blejnë nga Koreja e Jugut Gjatë mandatit të tij të dytë në Shtëpinë e Bardhë, Trump ka përdorur shpesh tarifat si mjet presioni për të avancuar objektivat e politikës së jashtme. Vetëm pak ditë më parë, ai kërcënoi Kanadanë me tarifa 100% nëse do të nënshkruante një marrëveshje tregtare me Kinën. Zyrtarët kinezë reaguan duke thënë se partneriteti strategjik me Kanadanë nuk synon të dëmtojë vende të tjera.

Kryeministri kanadez, Mark Carney, mohoi se vendi i tij po negocion një marrëveshje të tregtisë së lirë me Kinën, duke theksuar se kjo nuk ka qenë kurrë në shqyrtim dhe se qëndrimi i Kanadasë i është komunikuar qartë Uashingtonit.

Më herët, Trump kishte paralajmëruar vendosjen e taksave shtesë ndaj tetë vendeve, përfshirë Mbretërinë e Bashkuar, për shkak të kundërshtimit të tyre ndaj planeve amerikane për Groenlandën, territor autonom i Mbretërisë së Danimarkës dhe pjesë e NATO-s. Ai më vonë u tërhoq nga kërcënimi, duke përmendur përparim drejt një marrëveshjeje të ardhshme, por episodi la pas tensione në marrëdhëniet e SHBA-ve me Danimarkën dhe aleatë të tjerë të NATO-s. /BBC/



Skip to toolbar