U gjet i copëtuar. Pamjet nga momentet e fundit të Latos

Më të fundit


Mediat holandeze kanë zbuluar pamjet e fundit të jetës së Festim Latos, presidentit të vetëshpallur të Çamërisë, trupi i të cilit u gjet i prerë në copa të futura në thasë të ndryshëm dhe të hedhura në një kanal në Amsterdam më 19 korrik të këtij viti.

Mediat holandeze kanë publikuar foto dhe video ku paraqiten lëvizjet e fundit të 43-vjeçarit Festim Lato, me origjinë nga Vlora, të regjistruara nga kamerat e sigurisë. Festim Lato është shfaqur për herë të fundit në një kafene, në Abcoude, ku është takuar me disa persona, siç shihet edhe në video.

Pas këtij takimi, ai shihet teksa hipën në një makinë luksoze, pas së cilës nuk është parë më i gjallë. Në emisionin investigativ të holandezëve thuhet se Lato shoqërohej në makinë nga tre burra dhe një grua.

Lato jetonte prej kohësh në Holandë, e përveç angazhimit në politikë, ishte dhe biznesmen. Por më 24 prill të këtij viti, ai kishte shpallur falimentin. Nuk dihet nëse vrasje tij lidhet me këtë çështje. Shumë prej mediave në Holandë raportojnë se me shumë gjasa ngjarja mund të ketë lidhje me borxhet e 43- vjeçarit, pasi ka informacione se ka marrë shuma të mëdha borxh, që nuk i ka kthyer kurrë.

Mediat në Holandë raportojnë se Lato merrej me tregtinë e naftës, ndërsa kohët e fundit ishte vendosur në një shtëpi në Afferden. Jashtë banesës së tij valëviteshin flamujt e Holandës, SHBA-ve dhe flamuri i Shqipërisë me shkrimin Çamëria.

Një mik i 43-vjeçarit duke folur për mediat lokale ka treguar se, kohët e fundit Festimi nuk kishte shprehur asnjë shqetësim dhe çdo gjë dukej mirë. Lato e kishte shpallur veten dhe President të Çamërisë dhe prej vitesh luftonte për pavarësinë e territorit që sot është brenda kufirit të Greqisë.

Kohët e fundit, si Presidenti i Çamërisë, Festim Lato ishte shfaqur dhe në Parlamentin Europian në Bruksel, duke drejtuar një demonstratë për njohjen e pavarësisë së Çamërisë. Përveçse president, Lato ishte dhe trajneri i Kombëtares së Çamërisë. Nga dyshimet e para, thuhet se Lato është telefonuar nga një person joshqiptar. Pasi kanë lënë vendtakimin, 43-vjeçari është qëlluar për vdekje.

Ali Aliu, i vetëshpallur Kryeministër i Çamërisë, në një reagim të tij në rrjetet sociale shprehet i tronditur nga vdekja e Latos. Ai e cilëson ngjarjen me motive politike. “Festim Lato është martiri i parë i Republikës së Çamërisë”, shkruan Aliu.

Ndërkohë, një diplomat holandez, Jeroen Zandberg, që merret me një organizatë për vendet e papërfaqësuara, thotë se Lato ishte i shqetësuar kohët e fundit për çështje që nuk i njihte.

“Ishte një burrë karizmatik, i cili fliste butësisht. Por gjithmonë pas tij ishin borxhlinjtë. Ai merrte shpesh mesazhe nga persona që e cilësonin mashtrues”, shprehet Zandberg, i cili është dhe një nga personat e fundit që e ka takuar Laton.

Diplomati holandez ka dhënë një dëshmi në Polici lidhur me informacionet që ai kishte mbi aktivitetin e 43-vjeçarit shqiptar.



Skip to toolbar