Kombëtarja U-16 e futbollit e ka mbyllur me fitore pjesëmarrjen në Turqi në “International U-16 Tournament”, ku kuqezinjtë e drejtuar nga Elvin Beqiri kanë fituar 3-0 ndaj Lituanisë.
Në ndeshjen e fundit të luajrur dje, pjesa e parë u dominua e gjitha nga kuqezinjtë që sulmet e vazhdueshme i finalizuan në minutën e 26-të me Bajraktarin. Me rezultatin 1-0 u mbyll fraksioni i parë i ndeshjes.
Pjesa e dytë filloi ashtu si u mbyll dhe e para, me skuadrën e Beqirit që ka sulmuar portën e lituanesëve, duke gjetur menjëherë golin e dytë me anë të Adrian Nezirit, në minutën e 45-të.
Në fundin e ndeshjes, kapiteni Çereni shënoi golin e tretë, në minutën e 77-të, duke shënuar dhe rezultatin final të ndeshjes.
Ky është bilanci i Shqipërisë U-16, në këtë turne:
15 Prill, Shqipëri 1-0 Bjellorusi
17 Prill, Turqi 1-0 Shqipëri
19 Prill, Lituani 0-3 Shqipëri