233 familje të dëmtuara nga tërmeti i 21 shtatorit në Durrës, Shijak, Krujë, Kavajë apo Rrogozhinë së shpejti do të hyjnë në shtëpitë e rindërtuara. Ministrja e Mbrojtjes Olta Xhaçka inspektoi punimet për disa nga këto objekte në Manëz dhe zonën e ish Kënetës në Durrës.
“Angazhimi ynë është që asnjë qytetar të mos mbetet pa shtëpi dhe që asnjë shtëpi të mos mbetet grumbull rrënojash. 2020 është viti i rindërtimit”, deklaroi ministrja Xhaçka.
Projekti i rindërtimit të 233 banesave po realizohet nga Fondi Rezervë i buxhetit të shtetit në masën 470 milionë lekë dhe nga buxheti i Ministrisë së Mbrojtjes, programi “Emergjencat Civile” në vlerën 90 milion lekë. I gjithë procesi po ndiqet nga Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile.
“Jemi të angazhuar të gjithë: qeveria, pushteti vendor edhe qytetarët, që procesi i rindërtimit të përfundojë në kohë, pavarësisht problematikave që kanë lidhje me procedurat, por jo vetë me to. Të njëjtën gjë do të bëjmë edhe me të gjitha banesat e dëmtuara nga tërmeti i 26 Nëntorit. Ka një angazhim maksimal, pikësëpari të kryeministrit dhe të Komitetit të Rindërtimit që askush të mos ndjehet vetëm dhe që ky proces sa i rëndësishëm, aq edhe i vështirë të përfundojë në kohën e duhur, u shpreh ministrja Xhaçka, gjatë bisedës me familjarë të prekur nga tërmeti.
Punimet për shtëpitë e reja, bazuar në projektet e hartuara nga Instituti i Ndërtimit në bashkëpunim me pushtetin vendor, kanë nisur javë më parë. Pavarësisht vështirësive të krijuara për shkak të tërmetit të 26 Nëntorit apo motit të keq gjatë muajit dhjetor, procesi i rindërtimit po vijon për t’u dhënë shumë shpejt 233 familjeve shqiptare një strehë të re.