Gjykata e Posaçme lë në burg Aleks Ndrekënd, i njohur me nofkën “Leksi i Druve”.
GJKKO konfirmoi masën e arrestit në burg ndaj Aleks Ndrekës, i cili u ekstradua dy ditë më parë nga Italia drejt vendit tonë, për llogari të Prokurorisë së Posaçme.
Ai u shpall në kërkim ndërkombëtar në kuadër të dosjes “Metamorfoza”, si person i dyshuar për sigurimin e kushteve për vrasjen e tre shtetasve në vitin 2017.
Ndaj 49-vjeçarit, GJKKO në vitin 2023 caktoi masën “Arrest në burg” në mungesë, për veprën penale “Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje”, kryer në kuadër të grupit të strukturuar kriminal.
Nga hetimet e SPAK, rezultoi se “Leksi i Druve” kishte marrë informacione për lëvizjet e Dorian Dulit, Ibrahim Liçit dhe Genc Tafilit dhe më pas këto informacione dyshohet se i dërgonte tek grupi i Bajrajve.
Emri i tij u ekspozua pas zbërthimit të komunikimeve në aplikacionin Sky ECC, ku ky i fundit ishte pjesë e një grupi kriminal që vepronte kryesisht në Shkodër.
Operacioni “Metamorfoza” çoi në pranga biznesmenin Pëllumb Gjoka, ish-shefin e operacionales Oltion Bistri, ish-prokurorin Xhevahir Lita, Ardit Hasanbega, ish-punonjës policie.
SPAK lëshoi 15 masa sigurie, por vetëm 6 prej tyre u ekzekutuan në kohën kur u zhvillua operacioni, ndërsa të tjerët u shpallën në kërkim.
