Gani Hila, 52 vjeç, i cili prej disa vitesh jetonte në Greqi është gjetur i pajetë në orët e para të së hënës në burgun e Lefsinës në Greqi. Ai nuk kishte as 24 orë nga arrestimi pas ankesës së një gruaje për ngacmim, ndërsa autoritetet e burgut thanë se ai ka varur veten me një peshqir. Por familja Hila në Dardhë të Hotolishtit, në Librazhd nuk beson as akuzat për arrestimin e tij dhe as versionin e vetëvrasjes, duke ngritur dyshimet se i afërmi i tyre është vrarë me thikë në ambientet e burgut.
Sipas tyre, 52-vjeçari Gani Hila kishte shenja dhune dhe nuk ka vrarë veten ashtu siç ka raportuar policia greke. Ata janë në pritje të autopsisë për të marrë një përgjigje sa më të saktë. Sipas familjarëve, Hila ishte ndaluar nga policia sepse nuk kishte dokumente me vete.
“E mora vesh nëpërmjet telefonit që është vrarë, ka vdekur xhaxhai. Nuk e besova. Na thanë që për punë letrash, kishte vajtur në punë, kishin ardhur policët, i kishin thënë ku i ke letrat dhe ai i tha që “s’kishte për momentin”. Pastaj e kishin marrë e kishin futur brenda në burg dhe atje na thanë që e kishin rrahur keq, kishte shenja dhune, kishte vdekur brenda në burg dhe e kishin shpallur sikur ishte vetëvarur, por nuk e besoj të jetë vetëvarur sepse nuk ka pasur konflikte me njeri. Nuk kishte arsye pse ta vriste veten sepse ishte një njeri shumë i mirë”, mbesa e viktimës, Xhemile Hila.
Ngjarja ka ndodhur katër ditë më herët dhe ata u njoftuan me telefon se 52-vjeçari kishte vrarë veten në paraburgim në Athinë të Greqisë. Hila kishte 20 vjet që jetonte në metropolin fqinj dhe ishte baba i dy djemve 18 dhe 10 vjeç.
Sipas mediave greke, 52-vjeçari u arrestua të dielën pasdite pas një ankese të një gruaje 41-vjeçare, e cila pretendonte se Hila ishte përpjekur që ta ngacmonte seksualisht. “Mëngjesin e së hënës kur gardianët shkuan për të marrë nga paraburgimi 52-vjeçarin dhe për ta dërguar atë në prokurori, e gjetën në tualet me një lak të improvizuar me çarçafë rreth qafës. Edhe pse ai u transportua menjëherë drejt spitalit të burgut, mjekët nuk mund të bënin asgjë për shqiptarin”, raportojnë mediat greke.