Erik Fullani, djali i ish-guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani, e dispononte sipas rregullave ligjore armën që kishte me vete, për të cilën u shoqërua dje në polici.
Ai është konstatuar nga forcat “Shqiponja” gjatë momenteve që sapo e kishte marrë armën pistoletë tip “Glock” pranë kompanisë security ku ishte i punësuar dhe më pas do të shkonte të shoqëronte personin VIP që kishte nën ruajtje dhe mbikëqyrje.
Sipas ligjit, në momentin që përfundon orarin e punës arma duhet të dorëzohet në vendin ku punon. Pas verifikimeve të bëra nga ana e policisë, pistoleta është dorëzuar pranë kompanisë.
Sipas njoftimit të policisë dje Fullani u ndalua nga policia për t’u gjobitur me 20 mijë lekë të reja për xhamat e errësuara të makinës së tij. Gjatë kontrollit të bërë në automjetin e tij, policia gjeti edhe një armë zjarri.
Pas shoqërimit në komisariatin nr.2 dhe verifikimeve të bëra, rezultoi se arma e gjetur në makinën e Erik Fullanit ishte me leje pasi ky i fundit punon si truprojë (bodyguard) në një firmë private.
Në vijim të veprimeve arma u dorëzua tek drejtuesi teknik i firmës. Erik Fullani është mjaft i njohur edhe në rrjetet sociale ku prej vitesh reklamon jetën e tij luksoze mes makinave të shtrenjta.