Një person është vrarë me armë zjarri mesditën e së enjtes në qytetin bregdetar të Durrësit, i cili është qëlluar me breshëri automatiku në derë të shtëpisë. Viktima është Feriz Bardhi, 40 vjeç, banues në Shën Vlash dhe dyshimet e para të policisë për këtë krim të rëndë është pista e hakmarrjes për pazare droge.
Burimet policore thanë se ngjarja ka ndodhur në lagjen nr. 18 pranë Kryqit të Kuq në Durrës rreth orës 12:55 minuta. Ai u qëllua me armë zjarri tip automatik në derë të shtëpisë ku edhe pse u dërgua me shpejtësi i plagosur në spital, nuk mundi që të mbijetonte duke ndërruar jetë.
Sipas policisë, në vendngjarje ka shkuar grupi hetimor ku vijon punën për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes. Policia ka ngritur pika kontrolli dhe po punon intensivisht për identifikimin dhe kapjen e autorëve të kësaj ngjarje.
Nga hetimet e deritanishme, policia ka gjetur një mjet të djegur në Porto Romano, i cili dyshohet se është përdorur për vrasjen e 40-vjeçarit. Brenda mjetit të djegur janë gjetur armë, të cilat dyshohet të jenë përdorur për vrasjen e Bardhit.
Sipas policisë, Feriz Bardhi, i vitlindjes 1979 nuk është një emër i panjohur në median shqiptare. Në vitin 2012 Feriz Bardhi është arrestuar nga policia italiane në Ascoli, sepse së bashku me një shtetas tjetër shqiptar Arif Qelia, u kapën me 700 gramë kokainë të pastër, dhe u akuzuan për trafik ndërkombëtar të kokainës, duke u cilësuar nga policia italiane si korrierë të drogës.