Përfaqësuesi i PD-së, në tryezën e përbashkët për reformën zgjedhore Oerd Bylykbashi u shfaq optimist para mediave duke thënë se janë pranuar propozimet e opozitës që i japin fund shitblerjes së votave në proceset zgjedhore dhe që ndajnë politikën nga krimi elektoral. Ai tha se të gjithë palët miratuan me konsensus axhendën dhe metodologjinë e realizimit të reformës zgjedhore dhe u morën në konsideratë propozimet e PD-së.
“Ajo që ka rëndësi është se me këtë dokument të sotëm dhe metodologjinë që ai përfshin, i hapet puna rrugës konkrete për të diskutuar dhe miratuar propozime për Reformën Zgjedhore.
Opozita është e angazhuar maksimalisht për të ecur me shpejtësi me drafte, me propozime konkrete, duke marrë në konsideratë punën që është bërë gjatë gjithë kësaj periudhe në Komisionin e Reformës Zgjedhore që në kohën kur opozita ishte palë e atij Komisioni.
Ajo që ka rëndësi të thuhet është se dokumenti i sotëm përfshin të gjitha çështjet që kemi ngritur politikisht në Këshillin Politik, ku do të përfshihen, çështja e shitblerjes së votës, ndarjes së politikës nga krimi, probleme të rënda zgjedhore që ndryshojnë dhe manipulojnë votën e shqiptarëve; çështja e sistemit zgjedhor.
Të gjitha masa që kanë si emërues të përbashkët, elementin e vullnetit politik për të ndarë shtetin nga politika, shtetin nga partitë politike. Një angazhim dhe një standard i OSBE-së pa të cilin çdo kornizë ligjore pëson fatin e ndryshimeve që janë bërë deri më sot. Ky është thelbësor në procesin që po nisim që nga sot”, tha Bylykbashi.