Udhëheqësit e BE-së mblidhen në Kopenhagë për sigurinë dhe mbrojtjen

BOTA


Në përgjigje të detektimeve të dronëve që penguan trafikun ajror në Kopenhagë dhe në qytetin tjetër danez të Alborgut, Danimarka do të mirëpresë udhëheqësit evropian në kryeqytet më 1 dhe 2 tetor, për dy samite të sigurisë dhe mbrojtjes.

Suedia dhe Gjermania po ofrojnë mbrojtje shtesë kundër dronëve për fqinjin e tyre para takimeve. Takimet fillimisht do të përqendrohen në forcimin e mbrojtjes evropiane së bashku me Ukrainën dhe do të përfshijnë udhëheqësit e 27 shteteve anëtare të Bashkimit Evropian.Komisioni Evropian u ka dërguar udhëheqësve një letër për diskutim, që e ka parë Radio Evropa e Lirë. Aty përmenden projekte ushtarake që blloku evropian duhet të realizojë në pesë vjetët e ardhshëm, me qëllimin që të arrihet një marrëveshje mbi një plan të detajuar kur udhëheqësit të takohen sërish në Bruksel në fund të tetorit.

Që në fillim, dokumenti heq çdo dyshim mbi arsyen pse kontinenti ka nevojë të rrisë shpenzimet për mbrojtje, duke thënë:

“Nevoja për përshpejtimin dhe intensifikimin e përpjekjeve pasqyron natyrën akute dhe në rritje të rreziqeve të sotme, si dhe peizazhin në zhvillim të kërcënimeve me të cilat Evropa dhe shtetet anëtare duhet të përballen, të përshtaten dhe përgatiten. Kjo nis me agresionin e paprovokuar, të paarsyetuar ushtarak të Rusisë ndaj Ukrainës, i cili po arrin në nivele të reja të brutalitetit dhe dhunës. Provokimet e papërgjegjshme ndaj shteteve anëtare, nga sulmet kibernetike deri te shkeljet e hapësirës ajrore, janë në rritje”.Dokumenti përshkruan katër projekte kryesore që Brukseli duhet t’i financojë: Murin evropian kundër dronëve, Vëzhgimin e krahut lindor, Mburojën e hapësirës ajrore dhe Mburojën e hapësirës së mbrojtjes. Aty thuhet se veçanërisht dy projektet e para “kërkojnë urgjencë të veçantë dhe duhet të përparojnë me shpejtësi”.

Ndërsa, detajet do të diskutohen në një të ardhme të afërt, veçanërisht nga ministrat e Mbrojtjes të bllokut, në tekst u tha se muri kundër dronëve “do të dizajnohet si një zonë e thellë me shumë shtresa, do të pajiset me sisteme të teknologjive të avancuara me kapacitete të ndërveprueshme kundër dronëve, të ndjekjes dhe zbulimit si dhe me kapacitete për të goditur objektiva tokësore, duke shfrytëzuar teknologjinë e dronëve për sulme precize”.

Po ashtu, në dokument theksohet se BE-ja duhet të shfrytëzojë ekspertizën e Ukrainës për këtë çështje, me presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, që tha më 30 shtator se KE-ja është pajtuar që të financojë prodhimin ukrainas të dronëve në vlerë prej 2 miliardë eurosh.

Vëzhgimi i krahut lindor është një projekt edhe më ambicioz që nuk synon vetëm dronët, por edhe luftimin e të ashtuquajturës “flotë në hije” të Rusisë, lloje të tjera të operacioneve hibride brenda BE-së, por edhe operacioneve tradicionale si dhe agresionit të armatosur.



Skip to toolbar