UEFA gjobit me 88 mijë euro Kroacinë para ndeshjes me Shqipërinë

Më të fundit


Në Volksparkstadion të Hamburgut, Shqipëria dhe Kroacia do të luajnë fatet e këtij Europiani, duke kërkuar një fitore që do t’i mbante në lojë për kualifikimin në fazën e 1/8.

Por kur mbeten edhe 3 orë e gjysmë nga starti i sfidës, Kroacia ka marrë një goditje, pasi UEFA ka dënuar me një gjobë të majme Federatën për shkak të sjelljes së një pjese të tifozëve në ndeshjen e parë përballë Spanjës.

Federata Kroate është gjobitur me 63.875 euro për hedhjen e gotave plastike nga tifozët dhe 24.000 euro për ndezjen e flakadanëve, pra në total 87.875 euro.

Shefi i sigurisë së kombëtares, Jurica Jurjeviç, ka komentuar vendimin e UEFAS-s për televizionin N1 duke thënë: “Sot kemi marrë një gjobë nga UEFA për sjellje të paligjshme. Futbolli shkakton emocione dhe është i vështirë për t’u kontrolluar, më e rëndësishmja është se nuk ka pasur incidente të mëdha. Hedhja e gotave dhe flakadanët janë problemi më i madh për momentin. Në Hamburg po bie shi, kështu që siç thonë duhet të lagesh pak”.

Gjasat sipas mediave kroate janë që Federata ta apelojë vendimin e UEFA-s. Kujtojmë se edhe Federata Shqiptare e Futbollit u gjobit nga UEFA një ditë më parë me 37,375 euro për shkak të incidenteve të ndodhura gjatë ndeshjes së parë në grup ndaj Italisë.



Skip to toolbar