Presidenti i Ukrainës Zelenskyj synon antarësimin me process të përshpejtuar në NATO. Menjëherë pas aneksimit të katër territoreve nga Rusia, Ukraina aplikoi zyrtarisht për në NATO.
“Faktikisht ne e kemi përshkuar rrugën tonë në NATO”, tha presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyj në një fjalim në video. “Sot Ukraina paraqet kërkesën, për ta realizuar këtë hap edhe de jure.”
Zelenskyj e argumentoi kërkesën e tij për një proces të përshpejtuar antarësimi me rëndësinë që ka Ukraina për mbrojtjen e shoqërive perëndimore. Por parimisht antarësimi në NATO është i mundur vetëm, nëse vendet kandidate nuk janë të involvuar në konflikte dhe grindje ndërkombëtare për rrjedhën e kufijve.
Kreu i NATO-s Stoltenberg: Porta jonë është e hapur
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Jens Stoltenberg veprimin e fundit të Rusisë në luftën kundër Ukrainës e cilësoi si një përshkallëzim të rëndë që nga fillimi i invazionit më 24 shkurt. “Ky është një moment vendimtar”, tha norvegjezi në Bruksel. Ai duke iu referuar kërcënimeve me armë bërthamore dhe aneksimit të padrejtë të territoreve ukrainase theksoi: “Asnjë nga këto veprime nuk tregon forcë. Por tregon vetëm dobësi.”Lidhur me kërkesën e Ukrainës për pranim në aleancë Stoltenberg tha: “Ne vazhdimisht kemi theksuar, se porta e NATO-s mbetet e hapur”. Por njëkohësisht ai nënvizoi, se një vendim i tillë “kërkon unanimitet”./dw