Ulja me disa gradë e temperaturave ka bërë që në qytetin e Korçës të nisin reshjet e para të dëborës. Në zonat malore reshjet janë të dendura, ku dhe firmat e mirëmbajtjes së rrugëve po punojnë intensivisht për të hapur akset nacionale dhe kriposjen e tyre në mënyrë që të shmangen aksidentet.
Edhe qyteti i Kukësit është zbardhur nga dëbora. Mbrëmjen e të shtunës kanë nisur reshjet e borës në të gjithë qytetin. Aktualisht reshjet kanë nisur me intensitet të ulët megjithatë pritet që moti të përkeqësohet dhe reshjet të jenë më të dendura.
Deri më tani nuk janë shënuar probleme në qarkullimin e automjeteve. Megjithatë këshillohet që drejtuesit e makinave të marrin masat dhe zinxhirët për borë me vete.
Ditët e fundit të dhjetorit kanë bërë që në Shqipëri të përjetohen temperaturat tipike të dimrit. Sipas sinoptikanëve, temperaturat e ulëta pritet që të sjellin reshje dëbore edhe në Pukë, Peshkopi dhe Ersekë.