Kreu i Këshillit Agroushqimor të Shqipërisë, Agim Rrapaj, foli në emisionin “Real Story”, në News24, për zhvillimin e bujqësisë në vendin tonë ndër vite.
Rrapaj tha se nga viti 2000 deri më 2009 pati vëmendje dhe investime ndaj këtij sektori, që dhanë efekte pozitive. Ndërsa, sipas tij, pas vitit 2009, e sidomos pas 2013-ës, nuk pati më investime ndaj bujqësisë, e për pasojë ra dhe zhvillimi i këtij sektori.
“Pas ’97 pati një ndryshim vëmendjeje ndaj fshatit. Më 2000 filluan të rinovoheshin disa nga elementet bazë që kanë të bëjnë me mekanizmat bujqësore. Në 2005 për koicidencë ndodhi një përplasje politike. PD deklaroi se do të jepte naftën me 40 lekë për litër dhe ky ishte një premtim i jashtëzakonshëm, por kjo politikë zgjati vetëm një vit dhe dështoi. Dështoi në radhë të parë, sepse nuk u bënë mirë llogaritë financiare. Megjithatë, investimet e bëra në bujqësi nga 2000-2005 e dhanë rendimentin pas vitit 2005. Edhe për ujitjen pati investime në këtë periudhë, që e dhanë efektin në 2005-2009. Kjo periudhë e fundit pati efekte pozitive edhe në zhvillimet rurale. Por, në vijim 2009-2013 nuk është më kjo vëmendje, ky intensitet. Pastaj vijmë në 2013 e në vijim, ku nuk pati sërish zhvillim të madh, sa i përket investimeve. Rritjen e prodhimit e kemi më shumë si avantazh i teknologjisë së serave. Nëse ne zëmë tregjet në periudhën prill-maj, vështirë të na nxjerrë më nga tregu. Aktualisht kemi edhe 200 qendra grumbullimi, që është nyja kyçe mbi të cilën janë ndërtuar rezultatet në bujqësi”, tha Rrapaj.
Nga ana e tij, analisti Shpëtim Nazarko deklaroi se të gjitha partitë bëjnë gabim fatal, kur thonë ‘do hedh 3 milionë lekë këtu dhe 5 atje’. Sa i përket premtimit për uljen e çmimit të naftës, Nazarko theksoi se po të ishte ai do ta jepte me 250 lekë të vjetra ose falas.
“Pas 2009-2013 nuk ka pasur investim në bujqësi. Vazhdoi politika e fidanëve, pa ndonjë efektivitet. Është një gabim fatal që e bëjnë partitë, sidomos në kohë fushatash, që thonë se do hedh 3 milionë lekë këtu, 5 atje, që është gjë e turpshme. Problemi duhet kapur nga brirët. Fajin e ka kryeministri dhe PS, sepse ti hyn te ministrat e mi të preferuar. Po të isha unë do ta bëja çmimin e naftës 250 lekë të vjetra, ose do ta hiqja çmimin fare. I vetmi sektor që kishim ne në vitin ‘90 ishte nafta, që thuajse bënte një cikël të mbyllur. Me një lëvizje të tipit kriminal, ne sot marrim naftën tonë, se nga kjo manovër që ulni çmimin e naftës, do dalin nja 100 milionë borxh, sepse 50% të taksave ne i mbledhim nga nafta”, deklaroi analisti.
Ndërkohë, i ftuar në studio, ministri i Bujqësisë, Bledi Çuçi, deklaroi se qeveria do të japë 1 miliardë lekë naftë falas për rreth 80 mijë fermerë, të cilët do të monitorohen me dron dhe ku mundësia e abuzimit do të jetë minimale.
“Ne do të japim 1 miliard lekë naftë falas për rreth 70-80 mijë fermerë. Sigurisht që përveç filtrimit, pasi fermerët do të japin deklarim, do të ketë dhe monitorim. Do të ketë monitorim me dron, që të sheh çfarë ke mbjellë në arë. Unë ju garantoj që sistemi që kemi ngritur ne do të mundësojë që abuzimi të jetë minimal”, theksoi ai.