Urdhri i Ramës, ikin disa nga drejtorët rajonalë në Shkodër

POLITIKË


Pas urdhrit të kryeministrit Edi Rama kanë dhënë dorëheqjen disa nga drejtorët e drejtorive rajonalë në varësi të pushtetit qendror në Shkodër. Kadri Ymeri, Mustaf Kraja, Luan Heta, Fuat Alibali, Edmond Emini që është edhe kryetar i PS-së në Shkodër, Agim Dardha dhe Astrit Beci, janë emrat që janë larguar pas udhëzimit të kryeministrit. Ndërkohë, pritet që të japë dorëheqjen nga posti edhe Ardian Dajti, Drejtor i Spitalit Rajonal të Shkodrës.

Lista e drejtorëve të dorëhequr pritet që të zgjerohet, pasi nga 33 drejtori që janë në Shkodër gjysma drejtohen nga burra. Sa u përket drejtorive që drejtohen nga gratë pritet që të ngrihet një grup pune për të bërë vlerësimet. Të mërkurën, në mbledhjen me drejtorët politikë të qarkut të Shkodrës, Rama urdhëroi që të gjithë burrat të japin dorëheqjen ndërsa për disa gra do të rishikohet pozicioni.

Kreu i qeverisë u shpreh se këto ndryshime nuk bëhen për shkaqe personale por bëhen për të krijuar një imazh të ri të PS në Shkodër. Kjo çështje u diskutua edhe në mbledhjen e kryesisë së PS. Deputeti socialist Ditmir Bushati doli kundër këtij vendimi. Përmes një letre drejtuar kryesisë së PS ai është shprehur se shkarkimet nuk janë zgjidhja për situatën e krijuar në Shkodër.

Një ditë më herët, Kryetarja e Këshillit Bashkiak të Shkodrës, Briseda Kadia, tha se është urdhëruar dorëheqja e të gjithë drejtorëve, për t’u zëvendësuar me njerëz me integritet.

Lista e Drejtorëve të dorëhequr në Shkodër:

Kadri Ymeri – Drejtor i DAR Shkodër

Mustaf Kraja – Drejtor i Bujqësisë Shkodër

Luan Heta – Drejtor i HEC Vau Dejës

Edmond Emini – Drejtor i Postës Shkodër ( Kryetar i PS Shkodër )

Agim Dardha – Drejtor i Administratës së Zonave të Mbrojtura Shkodër

Astrit Beci – Drejtor i Shëndetit Publik Shkodër

Fuat Alibali – Drejtor i OST Shkodër

Pritet dorëheqja

Ardian Dajti, Drejtor i Spitalit të Shkodrës



Skip to toolbar