Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, i cili dha dorëheqjen pas thirrjes nga Gjykata Speciale, ka kërkuar nga Gjykata Kushtetuese interpretim të vakumit të krijuar për qeverinë e vendit pas largimit të tij derisa të zhvillohen zgjedhjet e parakohshme. Dorëheqja e tij ka sjellë një krizë institucionale në Kosovë, pasi opozita pretendon se qeveria nuk mund të marrë asnjë vendim pas dorëheqjes, ndërsa kërkojnë vetëm që Presidenti të shpallë sa më shpejt datën e zgjedhjeve. Për këtë arsye, Haradinaj kërkon interpretim nga Gjykata Kushtetuese për të zgjidhur krizën, një skenar i ngjashëm me Presidentin Meta, përplasja e të cilit me mazhorancën do të përfundojë në Gjykatën Kushtetuese për t’i dhënë zgjidhje çështjes së zgjedhjeve vendore, pas anulimit që kreu i shtetit i bëri datës 30 qershor.
Një ngërç i tillë, tashmë në Kosovë, sipas Haradinajt mund të zgjidhet nga Gjykata Kushtetuese, ku aktualisht është përfolur skenari për krijimin e një qeverie kalimtare deri në zgjedhje, por që opozita është kundër.
“Sot (e hënë) kam dorëzuar në Gjykatën Kushtetuese Kërkesën për interpretim të aktit të dorëheqjes sime nga posti i Kryeministrit të vendit dhe definimin e kompetencave dhe funksionimit të Qeverisë pas këtij akti”, tha Haradinaj, i cili shtoi se qëllimi i kërkesës është që jo vetëm të kërkohet sqarim për situatën juridike të krijuar pas dorëheqjes, dhe me këtë të shmanget vakumi institucional, por edhe që ky interpretim nga Gjykata Kushtetuese t’i qartësojë situatat e ngjashme në të ardhmen. “Dërgimi i kësaj çështjeje në Gjykatën Kushtetuese është dëshmi e përgjegjësisë institucionale, që Qeveria të veprojë brenda kuadrit kushtetues dhe ligjor, e si pasojë, të mos lejojë vakum institucional deri në zgjedhjen e Qeverisë së re. Shpresoj se për shkak të urgjencës Gjykata do të vendosë shpejt. Cilido të jetë ai vendim unë do ta respektoj”, deklaroi Haradinaj. Po ashtu, ai ka bërë thirrje Presidentit të Republikës së Kosovës, Parlamentit dhe partive politike që të ndërmarrin veprimet e duhura për shpalljen e zgjedhjeve parlamentare.
Pas dorëheqjes së tij më 19 korrik, Qeveria e Kosovës, përkatësisht ministritë përkatëse të saj, kanë vazhduar punën duke marrë edhe vendime për çështje të ndryshme, ku ka zhvilluar edhe një mbledhje nga kryeministri i dorëhequr, por kjo ka sjellë akuza, duke i cilësuar vendimet e qeverisë antikushtetetuese.
Ndërsa, Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, këtë javë do të nisë konsultimet me partitë politike për ndërmarrjen e hapave të mëtejmë që çojnë në tejkalimin e situatës së krijuar nga dorëheqja e kryeministrit. Në njoftimin për media nga zyra e Presidentit, të bërë të enjten, thuhej se ai do t’i ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme në pajtim me kompetencat e përcaktuara në Kushtetutën e Republikës së Kosovës.
Mirëpo, disa nga partitë politike në këto konsultime thonë se do të marrin pjesë vetëm sa për të caktuar datën e zgjedhjeve. Kurse partitë e koalicionit vlerësojnë se duhet të jenë pjesë e këtyre konsultimeve me Presidentin Thaçi që të arrihet një pajtueshmëri e plotë mes tyre për të dalë nga situata politike në të cilën gjendet vendi. Zgjedhjet e parakohshme që tashmë duken të pashmangshme, shtrojnë edhe pikëpyetje rreth ndikimit që do të kishin ato në procesin e bisedimeve mes Kosovës dhe Serbisë.
Që nga viti 2010 asnjë qeveri e Kosovës nuk ka arritur të përfundojë mandatin kushtetues katërvjeçar, e kjo ka sjellë mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme.
Përveç efekteve politike, organizimi i shpeshtë i votimeve po i kushton edhe buxhetit të Kosovës me harxhimin e paplanifikuar të miliona eurove. Sipas llogaritjeve të para, këto zgjedhje, krahasuar me shumën e shpenzuar gjatë zgjedhjeve të vitit 2017 mund t’i kushtojnë Kosovës nga 4 deri në 5 milionë euro.