Pirro Vengu është emëruar Drejtori i ri i Portit të Durrësit duke zëvendësuar në këtë post Agron Taren i cili paraqiti dorëheqjen dy ditë më herët, duke thënë se do të vijojë rrugëtimin e tij profesional.
Pirro Vengu njihet si shefi i kabinetit të ish ministrit për Evropën dhe Punët e jashtme Ditmir Bushati në qeverinë “Rama 1”. Ndërsa në vitin 2017 ai u emërua drejtor i antikorrupsionit në Kryeministri.
Por Pirro Vengu u bë lajm në media, jo vetëm për detyrat e rëndësishme, por pasi në vitin 2015, teksa ishte në detyrë në ministrinë që drejtohej nga Ditmir Bushati, i erdhi një fletëthirrje nga Greqia, me arsyetimin se nuk kishte kryer detyrimin ushtarak në shtetin grek, detyrim për shkak të mbajtjes së pasaportës greke.
Madje kjo gjë u bë edhe shkak për debate mes opozitës dhe maxhorancës, por Bushati e mori në mbrojtje duke e cilësuar një nga punonjësit më të përkushtuar të institucionit.