Vasjari: Vorpsi nuk emërohet pa u betuar para Metës

POLITIKË


Analisti Arian Vasjari ka deklaruar në emisionin Real Story se anëtarja e zgjedhur automatikisht pwr Gjykatwn Kushtetuese, Arta Vorpsi nuk mund tw ushtrojw detyrwn pa u betuar para Presidentit. Vasjari u shpreh më tej se ende nuk mund të themi se është ngritur Gjykata Kushtetuese, pasi anëtarët e Kushtetueses duhet të mandatohen nga ana e presidentit të vendit.

“Unë kam shprehur rezervat e mia në lidhje me procesin kushtetues. Vijoj të them se ka një anomali nga pikëpamja kushtetuese. Ne ishim të bindur se do të ndiqej një proces i caktuar, sepse ishim të bindur se kjo është një procedurë normale politike. Anomalia kushtetuese buron për një qasje që palët kanë ndaj Gjykatës Kushtetuese, e cila është jo e sinqertë. Unë besoj se maxhoranca e ka objektiv të saj ngritjen e Gjykatën Kushtetuese. Nuk shikoj ndonjë dëshirë nga Meta që ta ngrejë Gjykatën Kushtetuese, por sigurisht që ngritja e kësaj gjykate ka anomali nga pikëpamja ligjore. Mandati i Kushtetueses s’ka nisur ende, sepse anëtari duhet që të betohet te presidenti. Arta Vorpsi nuk mund të vazhdojë mandatin e saj pa u betuar nga presidenti. Ligji do sakrifikohet në emër të reformës në drejtësi”, tha Vasjari.

Vasjari ka folur edhe mbi “pezullimin” e procesit nga Meta.

“Jo nuk mund ta bëjë asnjëherë. Është një lapsus i madh nga pikëpamja procedurale. Ai nuk mund të bllokojë një proces kushtetues me një akt administrativ”, deklaroi Vasjari, i cili u përforcua nga Manja, i cili vuri në dukje se nuk është as akt administrativ, por një letër.

Arjan Vasjari theksoi se reforma në drejtësi është edhe një proces politik, veçse ligjor. “Ndërkombëtarët janë të qartë që në fillim, duhet bërë një pakt, ky është një proces politik së pari dhe pastaj ligjor, që do të thotë se ligji do të sakrifikohet në emër të reformës. Nuk mund të parashikohej efekti i reformës për një realitet, gati psikopatik që është realiteti shqiptar. Është e pakonceptueshme që një institucion si Gjykata Kushtetuese, të mendohet që procesi të shkojë deri në këtë pikë, ku nuk shikoj asnjë dritë sesi do të vazhdojë ky proces”, deklaroi Vasjari.



Skip to toolbar