Greqia po përballet me vatra të shumta zjarresh teksa temperaturat kanë arritur mbi 44°C. Dy zjarre të mëdha shpërthyen në Atikë, të dielën pasdite, dhe banorëve iu kërkua të evakuoheshin menjëherë. Rreth 140 zjarrfikës, 39 automjete dhe 8 helikopterë po punojnë për të kontrolluar flakët në Keratea, në jug të Athinës, ku të paktën katër shtëpi janë shkatërruar plotësisht
Autoritetet po përpiqen të shuajnë vatra të tjera zjarri në veri të Athinës dhe në ishullin Evia. Situata, sipas tyre, është vështirësuar për shkak të erës së fortë. Harta e Parashikimit të Rrezikut të Zjarreve e lëshuar nga Ministria e Mbrojtjes parashikoi një rrezik shumë të lartë zjarri të kategorisë 4 për Atikën, Peloponezin, Kretën, rajonet e Egjeut Verior e Jugor dhe Greqinë qendrore.
Më shumë se dyzet zjarre shpërthyen të shtunën në Greqi dhe shpejtësia e erës i kalonte 100 kilometra në orë, sipas burimeve të brigadës së zjarrfikësve. Në postimin e tij javor në Facebook, kryeministri Kyriakos Mitsotakis u bëri thirrje grekëve të përgatiten për një sezon të vështirë zjarresh.