Pas tërmetit të madh të 21 shtatorit toka në Shqipëri vazhdon të lëkundet. Gjatë natës kanë rënë disa tërmete si pasojë e aktivitetit sizmik të ndodhur afër Kepit të Rodonit.
Lëkundja më e fortë ka qenë me magnitudë 3.8 të shkallës rihter. Kjo lëkundje është ndjerë rreth orës 01:24 të natës, ndërsa epiqendra ka qenë 30 km në veri të Durrësi, Pranë Kepit të Rodonit. Kjo lëkundje është ndjerë në disa qytete, kryesisht, Durrës, Krujë, Kamëz e Tiranë.
Po ashtu lëkundje më të lehta kanë rënë deri në orët e para të mëngjesit. Rreth orë 04:29 një tërmet ka rënë në Ballsh, shumë kilometra larg ‘vatrës’ së nxehtë të lëkundjeve të ditëve të fundit.
Ditën e shtunë më 21 shtator, rreth orës 16:09 Shqipëria u godit nga një tërmet me magnitudës 5.8 të shkallës rihter me epiqendër në detin Adriatik dhe intensitet 7.5 ballë. Lëkundja e dytë është shënuar pak minuta më vonë me magnitudë 5.2. Këto ishin dy lëkundjet më të forta të tërmetit me epiqendër në detin Adriatik pranë Durrësit. Ndërsa lëkundjet e tjera kanë qenë më të lehta dhe sipas sizmiologëve janë normale si pasojë e aktivitetit sizmik.