Vdes punëtori në Korçë, në pranga përgjegjësi teknik dhe manovratori i firmës

AKTUALITET


Policia ka arrestuar në flagrancë për veprën penale “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë”, përgjegjësin teknik dhe manovratorin e firmës së ndërtimit, që kryente punime në pallatin në të cilin u aksidentuan gjatë punës dy punëtorë, njëri prej të cilëve gjeti vdekjen.

Gjatë të premtes, dy punëtorë u aksidentuan gjatë punës në një pallat në ndërtim në lagjen numër 9 në qytetin e Korçës, njëri prej të cilëve ndërroi jetë, ndërsa tjetri ndodhet në spital jashtë rrezikut për jetën. Pas hetimeve për aksidentin në fjalë, specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Korçë, bënë arrestimin në flagrancë të shtetasve, F.P., 67 vjeç, banues në Korçë me detyrë përgjegjës teknik i firmës së ndërtimit dhe  A.Z., 41 vjeç me detyrë manovrator.

Këta shtetas dyshohet se kanë konsumuar elementë të veprës penale “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë”, pasi gjatë procesit të hedhjes së betonit në objekt, është dëmtuar një segment metalik i presës, i cili ka goditur në kokë duke i shkaktuar vdekjen shtetasit E.J., 36 vjeç, si dhe ka dëmtuar jashtë rrezikut për jetën shtetasin P.F., 59 vjeç, të dy banues në Korçë.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Korçë për veprime të mëtejshme.



Skip to toolbar