Veliaj dhe Cana shtrojnë iftar për besimtarët myslimanë!

Më të fundit


Në këtë muaj të shenjtë të Ramazanit, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj dhe ish-kapiteni i skuadrës kombëtare të futbollit, Lorik Cana, shtruan iftar për besimtarët myslimanë që agjërojnë në Muajin e Ramazanit. Në darkën e përgatitur enkas për ta në Qendrën Rinore në rrugën “Myslum Shyri”, kryebashkiaku Veliaj siguroi se Bashkia e Tiranës ka gjithmonë vëmendjen tek njerëzit në nevojë, të moshuarit, të pamundurit dhe grupet e ndryshme sociale, për të krijuar edhe për ta një mjedis të ngrohtë familjar.

“Jam sot shumë i lumtur për disa arsye: Shpesh herë festat dhe darkat i bëjmë për personalitete, drejtues të fesë, ambasadorë, por gjëja që më jep mua më shumë kënaqësi, jam i sigurt edhe Lorikut, është kur respektin dhe nderimin e bëjmë për ata që vijnë në qendrat tona sociale, ku bëhet një punë jo vetëm gjatë Ramazanit, jo për Krishtlindje a Pashkë, jo vetëm për Bajram, por çdo ditë, me të njëjtin pasion, dashuri e përulësi”, tha ai.

Teksa vlerësoi nismën e ndërmarrë nga Bashkia e Tiranës për t’u ardhur në ndihmë atyre që nuk kanë mundësi, ish-kapiteni i kombëtares së futbollit që udhëhoqi Shqipërinë edhe në Kampionatin Europian, uroi besimtarët që Zoti t’u pranojë sakrificën dhe agjërimin.

“Ishte një kënaqësi e madhe kur Erioni dhe ekipi i bashkisë, me vullnetarët, na u bashkuan sot. E bëj jashtëzakonisht me shumë kënaqësi. Shoh që jeni edhe në një moshë më të madhe se ne. Unë jam rritur jashtë për 15 vite dhe nuk kam pasur shumë mundësi t’i shoh gjyshërit e mi, tani po shkoj më shpesh, por më mungojnë, kështu që po mundohem ta heq pak këtë mall edhe me ju. Zoti ju pranoftë sakrificën dhe agjërimin”, tha Cana.



Skip to toolbar