Erion Veliaj është zyrtarisht kryetar i Bashkisë së Tiranës edhe për katër vitet e ardhshme. Në zgjedhjet e përgjithshme vendore të 30 qershorit, qytetarët e Tiranës i besuan kandidatit të koalicionit të majtë Erion Veliaj edhe një mandat të dytë në krye të Bashkisë më të madhe të vendit.
Nga 919 kuti të numëruara Erion Veliaj ia arriti që të marrë 152 230 vota duke arritur që të fitojë edhe votat e ish aleatëve të PS që tashmë janë në opozitë. Nëse në zgjedhjet e shkuara Veliaj arriti që t’i marrë këto vota bashkë me LSI dhe PDIU, tashmë i vetëm Veliaj arriti të marrë thuajse të njëjtin numër votash duke pësuar një rritje tepër të madhe si kandidat.
Rivali i tij në këtë garë , Arben Skënderi që kandidonte për “Bindjen Demokratike” mundi të marrë 5.79 për qind të votave ose 9364 vota. Tashmë mbetet vetëm certifikimi zyrtar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.
“Tirana u kry!
Mirënjohje e përulësi për secilin prej jush! Respekt për Arben Skënderin e gjithë bekimet e botës për familjen e tij! Mezi pres edhe skuadrën e Këshillit Bashkiak, ku përveç PS do të ketë edhe disa parti të tjera, që të nisim me vendimet jetike aty!
Gara mbaroi! Tani le të përveshim mëngët për më shumë punë, vllazëri, përtej ndasive, siç i ka hije #TiranesQeDuam! Ka më shumë gjëra që na bëjnë bashkë, se ato që na ndajnë. Unë do jap më të mirën për Tiranën, të ftoj edhe ty të japësh sa mundesh! Të falenderoj e përqafoj! Forca! BASHKE”. Ky është mesazhi i parë i Veliajt pas fitores.