Veliaj i dorëzon medaljen e mirënjohjes kampionit të botës në peshëngritje

Më të fundit


Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj priti në një takim kampionin e botës në peshëngritje, Briken Çalja, peshëngritësin Erkand Qerimaj dhe delegacionin shqiptar që mori pjesë në botërorin e Uzbekistanit. Veliaj vlerësoi sportistët për rezultatet historike të arritura në botërorin e peshëngritjes dhe për përfaqësimin dinjitoz të ekipit tonë kombëtar dhe të Sport-Klub Tiranës.

Teksa i dorëzoi medaljen e mirënjohjes kampionit Briken Çalja, Veliaj theksoi se ky është mesazhi më i mire për të rinjtë dhe të rejat e qytetit. “Skuadra jonë e peshëngritjes u kthye nga Uzbekistani me rezultatet më të mira në 30 vitet e fundit. Brikeni është një krenari e jashtëzakonshme, sot kampion i botës. Të jesh më i miri në botë në një fushë, do të thotë se ke punuar me përkushtim, me zell dhe pasion të jashtëzakonshëm. Këto janë rezolutat që na duhen për 2022, më shumë çuna dhe goca që i bëjnë gjërat me pasion, me zell, me punë të pastër. Po ashtu edhe Erkandi, që për efekt praktik është i treti, por teknikisht i katërti, na ka bërë krenar dhe ka përformuar shumë mirë. Gjykoj se jemi përgatitur mirë me një skuadër të denjë për Lojërat Olimpike në Paris. Kjo medalje është një mirënjohje nga qyteti dhe klubi ynë. Është fat i madh që skuadra olimpike është nga Sport-Klubi i Tiranës, por unë dua që përveç institucionit të sportit, të punojmë shumë edhe për një institucion tjetër, institucionin e mirënjohjes, me i thënë tjetrit faleminderit, bravo të qoftë! Dua që me këtë medalje ta ndërtojmë institucionin e mirënjohjes dhe të themi: jam krenar për ty, ec përpara”, nënvizoi Veliaj.

Kreu i Bashkisë nënvizoi se mbështetja ndaj sportit do të vijojë me qëllim masivizimin e tij. Ai dha lajmin e mirë të hapjes së 4 palestrave të reja, ndërkohë që hapësirat sportive në shkollat e reja mund të përdoren nga klasat sportive dhe komuniteti. “Edhe në Kombinat, edhe në Kodër-Kamëz, edhe në Sauk, edhe te Fresku, në Dajt, do jemi të përgatitur me 4 palestra të reja, të cilat me shumë kënaqësi do të donim t’i vinim në dispozicion për një gjeneratë çunash dhe gocash, të cilët shohin Brikenin, Erkandin, Krenarin, Evangjelinë, e thonë dua të bëhem si ata kur të rritem. Të dal mirë me mësime, të merrem shumë me sport, të jetoj një jetë të shëndetshme dhe të jem i dobishëm”, deklaroi Veliaj.

Kampioni i botës në peshëngritje, Briken Çalja, falenderoi Bashkinë e Tiranës për mbështetjen e sportit, ku edhe rezultatet nuk kanë munguar. “Është një ëndërr e realizuar. Falënderoj familjen time që ka qenë e përkushtuar dhe pa diskutim edhe Federatën, që ka qenë promotori dhe shtysa. Falenderoj Bashkinë me Klubin e Tiranës, që kanë qenë mbështetës gjatë gjithë kohës, por pa harruar edhe Komunitetin Olimpik, që ka bërë gjithçka që ne të kishim një përfaqësim dinjitoz”, tha Çalja.

Peshëngritësi i njohur shqiptar, Erkand Qerimaj, që humbi podiumin vetëm për 1 kg, theksoi se ndryshimet dhe përmirësimi i trajtimit të sportistëve, është një motiv për rritjen e rezultateve. “Dua të falënderoj Kryetarin e Bashkisë për mbështetjen që na ka dhënë. Nga Olimpiada në vendin e 9-të dhe Uzbeskistan në vendin e katërt për 1 kg, në Europian do jemi edhe më lart. Duhet ta promovojmë që të rinjtë të afrohen te sporti. Me gjithë suportin që ka dhënë Kryetari i Bashkisë dhe Kryeministri do kemi sukses. Ndryshimet e bëra, financimet që janë dhënë për sportin, dhe ndryshimi i vendimit të Këshillit të Ministrave për rritjen e shpërblimeve, edhe trajtimi te Klubi i Tiranës, të gjitha këto janë pozitive dhe na motivojnë të japim më shumë”, deklaroi Qerimaj.

Presidenti i Federatës, Elez Gjoza falënderoi kryebashkiakun për vëmendjen e posaçme që ka treguar ndaj promovimit të sportit. “Do t’i them një faleminderit kryetarit të Bashkisë Tiranës për mbështetjen që i ka dhënë vazhdimisht sportit, që kur unë jam bërë presidenti i kësaj federate. Nuk e teproj kur them se kryetari i bashkisë dhe Bashkia e Tiranës ka jetuar me shqetësimet, me vështirësitë dhe sakrificat e këtij sporti. Këto medalje ia kishim premtuar shqiptarëve edhe më në fund e bëmë realitet, i sollëm këto 3 medalje kaq të rëndësishme në Shqipëri. Nuk është vetëm suksesi i këtyre dy djemve, familjeve të tyre, trajnerëve të pasionuar, të cilët e kanë bërë natën ditë për të prodhuar këto rezultate, por është një veprim i jashtëzakonshëm i federatës, sportistëve, trajnerëve në mënyrë të veçantë me Bashkinë e Tiranës, me Ministrinë dhe Komunitetin Olimpik. Dua të garantoj sot se viti 2022 do të flasë shqip. Vizioni yt është shumë i qartë dhe unë kam mësuar nga vizioni juaj që objektivi im është Olimpiada e 2024 në Paris”, deklaroi Gjoza.



Skip to toolbar