Veliaj me socialistët e Njësisë 5: Mobilizim për fitoren e katërt të Edi Ramës, meritë e PS që Shqipëria dhe Tirana po ndryshojnë

AKTUALITET


Drejtuesi Politik i PS për Qarkun e Tiranës, Erion Veliaj u shpreh se PS ka nisur mobilizimin për fitoren e katërt të kryeministrit Edi Rama. Në vijim të turit të mirënjohjes nëpër njësi, në prag të 33-vjetorit të PS, Veliaj tha se ajo është e vetmja forcë që di të bëjë shtet dhe qytet.

“Këtë ditëlindje të PS e kemi shpërndarë në të gjitha njësitë sepse ai oborri i vogël i Partisë Socialiste është bërë edhe më i vogël tani që jemi shtuar me shumë anëtarë të rinj. Dua t’u them mirë se erdhët, ju urojmë shumë sukses e mezi pres që energjia juaj, mendimet, idetë tuaja, gjaku i ri, të furnizojë partinë tonë me më shumë energji, ide, kurajo, për zgjedhjet që po afrohen, për të cilat ne fillojmë që tani një mobilizim të jashtëzakonshëm për fitoren e katërt të Edi Ramës dhe Partisë Socialiste, si e vetmja forcë që di të bëjë shtet dhe qytet”, tha Veliaj.

Ai u shpreh se kundërshtarët e PS nuk kanë alternativa, por vijojnë me dhunë dhe shkatërrim.

“Që të bëje karrierë dikur, në qeverinë ose shtetin shqiptar, duhej të rrihje një socialist, dhe nuk kish rëndësi nëse ishte viti ’94, ‘96, ‘97, ‘98, dhuna ndaj socialistëve ishte e vetmja mënyrë se si ti ngjisje shkallët e karrierës. Ne sapo emëruam një rrugë me emrin e “Remzi Hoxhës”, çka na kujton se si zhdukeshin njerëzit nga ai sistem, ku karriera bëhej mbi dhunimin e çdo njeriu që ishte progresist, i majtë dhe socialist”, tha Veliaj.

Ai komentoi edhe protestat e dhunshme të Rithemelimit dhe të PL para Bashkisë së Tiranës, duke goditur me molotov.

“Ti mund të djegësh goma para Parlamentit, të shkatërrosh objekte të kulturës, siç është Bashkia e Tiranës, që është një institucion jo privat i socialistëve, është i kujtdo që qeveris në atë moment dhe është pronë e qytetarëve të Tiranës. Aty kupton që kemi përballë kundërshtarë, që as nuk janë pjekur politikisht, as nuk kanë një mision, as nuk kanë Zot, din e iman, shtet, atdhe, të cilët të dhimbsen kur i shikon se si në mes të kulmit turistik djegin goma në mes të Tiranës. Mendova që këto skena i kishin lënë tek Astiri, i kisha harruar nga vitet ‘90. Ata janë po ata. Fakt që Shqipëria dhe Tirana ndryshon është meritë e forcës që udhëheq, Partisë Socialiste të Shqipërisë”, tha Veliaj.



Skip to toolbar