Veliaj me socialistët e Njësisë 8: Sot jetojmë në ditët më të mira të Tiranës dhe të Shqipërisë

AKTUALITET


Me takimin e mirënjohjes me strukturat e Partisë Socialiste në Njësinë 8, Drejtuesi Politik për Qarkun e Tiranës, Erion Veliaj falenderoi çdo socialist që ka kontribuuar në vitet më të vështira të partisë, por edhe shtoi se ky 33-vjetor i themelimit të PS është edhe një moment për theksuar punën e madhe që është bërë për Tiranën dhe Shqipërinë.

“Sot jetojmë në ditët më të mira të Tiranës dhe të Shqipërisë, por ama duhet të kujtojmë se kjo forcë që fiton betejë pas beteje, ka pasur edhe ditë të vështira, e megjithatë as nuk u lodh, as u dorëzua, as hoqi dorë, as nuk i tradhtoi idealet, as bëri Pazar, ama qëndroi fort. Sot është dita për të festuar ata burra dhe gra, shokë dhe shoqe, motra dhe vëllezër, që i kanë qëndruar këtij ideali në ditët kur ishte jashtëzakonisht e vështirë ta bëje këtë. Kush kujton historinë e referendumit të 1994, zgjedhjet lokale të 1996, historinë e 1997-1998 me grushtin e shtetit dhe me gjithë ato gra që u veshën me të zeza nga vëllavrasja më e madhe e historisë; kush kujton luftën e Kosovës, njeriun që i çonte naftë Millosheviçit; kush kujton historitë Gërdecit dhe 21 Janarit. Ama, duhet të kujtojmë edhe ata që besuan te kjo kauzë, që u thinjën duke e mbajtur fort Partinë Socialiste, me thonj dhe me dhëmbë, ata meritojnë të gjithë respektin, mirënjohjen dhe dashurinë tonë”, tha ai. Veliaj nënvizoi se në kohën e Berishës, socialistët ndiqeshin dhe zhdukeshin në mes të qytetit.

“Në kohën e Saliut, nëse ishe gardist duhet të tregoje sa socialistë kishe vrarë në 21 janar; nëse ishe SHIK-s, duhet të tregoje sa ‘Remzi Hoxhë’ kishe zhdukur. Duken si përralla, si histori për Netflix, a thua se kanë ndodhur në një vend shumë të largët, por në fakt kanë ndodhur këtu, në këtë qytet. Rruga ‘Remzi Hoxha’ është te ‘ish Frigoriferi’, pjesë e Njësisë 8, ai është zhdukur aty, në mes të qytetit tonë. Bëje karrierë edhe te ‘Saliu i parë’, por bëje karrierë edhe te ‘Saliu i dytë’, në varësi se sa socialistë kishe shtypur, sa kishe persekutuar dhe sa kishe zhdukur”, tha ai.

Ai deklaroi se socialistët janë skuadra që ka ditur gjithmonë të transformojë Shqipërinë.

“Si e morën socialistët Shqipërinë në 97-98-ën, të falimentuar; si e morëm në 2013-ën? Si e morëm Bashkinë e Tiranës në vitin 2000? Edi dhe Mimi ishte skuadra e parë që nisi transformimin e qytetit tonë, duke rrëzuar Republikën e Kioskave. Kur bëmë shkollën “Servete Maçi” thoshim do ta bëjmë më të mirë se shkollën “Kosova” dhe e bëmë. Pastaj, i erdhi radha ‘Samiut’, që të bëhej më e mirë se “Servete Maçi”. Kur ishim te “Partizani” thoshit do ta bëni “Partizanin” më të mirë se sa ‘Samiu’. Fakti që sot standardi është si do shkojmë më lart dhe si do të bëhet më mirë, më bën të them me gojën plot se kur qeveris Partia Socialiste, janë jo vetëm ditët më të mira që ka pasur ndonjëherë Shqipëria, por ditët më të mira me Partinë Socialiste i kemi akoma përpara të gjithë bashkë”, deklaroi Veliaj.



Skip to toolbar