Erion Veliaj ka marrë në qelinë e burgut të Durrësit aktet hetimore të Prokuorisë se Posaçme për dosjen në ngarkim të tij. Kjo erdhi pas vendimit që mori Gjykata e Posaçme të hënën, në seancën e parë në Themel për Erion Veliajn, si dhe 29 personave të tjerë, biznesmenë dhe Kompani. Me vendim të Gjykatës, SPAK ka urdhëruar Byronë Kombëtare të Hetimit që t’i çojë Erion Veliajt 72 fashikuj me 28 mijë faqe materiale hetimore.
Seanca e parë e zhvilluar të hënën më 9 mars në Gjykatën e Posaçme u shty pasi nuk u paraqitën tre të pandehur, si dhe mbrojtësit e tyre ligjorë.
Erion Veliaj nuk u paraqit në seancën e të hënës. Kryesuesja e trupit gjykues, gjyqtarja Engjëllushe Tahiri, bëri me dije se Veliaj kishte shënuar se nuk kishte seancë paraprake për të dhe kjo ishte arsyeja e mungesës. Seanca paraprake për kalimin për gjykim të çështjes së Veliajt e të pandehurve të tjerë dështoi 11 herë radhazi për afro 5 muaj derisa gjykata vendosi për kalimin në gjykim të hetimet.
Ndërkohë, seanca e radhës në themel për Erion Veliajn do të mbahet më datë 24 mars.
Ndaj Veliajt janë ngritur akuzat për korrupsion pasiv në 9 raste, pastrim parash, mosdeklarim pasurie, shpërdorim detyre dhe futja e sendeve në burg.
Për rastet e dyshuara të korrupsionit, prokuroria thotë se ai ka marrë përfitime të parregullta në formën e shumave monetare dhe pasurive të paluajtshme, nga disa kompani të cilat kanë marrë leje ndërtimi dhe përfituar fonde publike nga Bashkia Tiranë.
