Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj dhe kryeministri Edi Rama inspektuan sot shkollën e re “Lasgush Poradeci” në Kombinat. Shkolla e re “Lasgush Poradeci” ka një kapacitet prej 1200 nxënësish, shumë herë më e bukur, me auditorë, laboratorë modernë, si dhe me fusha sportive, që do i shërbejë jo vetëm nxënësve, por gjithë komunitetit të zonës.
Kryebashkiaku tha se për këtë shkollë do xhelozohet e gjithë Shqipëria, duke shtuar se është një xhelozi e mirë që rrit standardin në vend.
“Komenti më popullor ose më i përdorur kur ne postuam pamjet e shkollës ishte: ‘Mjaft bëtë reklama me shkolla private’, – sepse askujt nuk ja kishte pritur mendja që një shkollë publike në zemër të Kombinatit do ishte shkolla më e madhe, më e bukur, më e fortë në Republikën e Shqipërisë, edhe më e mirë se shkollat private”, u shpreh Veliaj.
Më tej kryebashkiaku theksoi se shkolla e re do të shërbejë, jo vetëm për nxënësit, por për të gjithë banorët e zonës.
“Kjo shkollë për 1200 nxënës, është dy herë më e madhe, më e fortë dhe sigurisht më e bukur, siç kemi bërë në çdo shkollë, kemi përfshirë gjithmonë një auditor. Sot kemi auditorë tek Liceu, “Tonin Arapi”, auditor “Avni Mula”, tek shkolla “Servete Maçi”, auditori te shkolla “Kosova”, ky auditor këtu është edhe për aktivitetet e komunitetit, duke filluar nga festa e Abetares deri tek një koncert, një recital, një vallëzim, festat e nëntorit, të fundvitit”, vijoi Veliaj.
Shkolla e re “Lasgush Poradeci”, u rindërtua me ndihmën e Fondit të Zhvillimit të Katarit.