Veliaj pret delegacionin suedez: Synojmë politika sociale që ndihmojnë shtresat në nevojë

Më të fundit


Kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj priti në një takim përfaqësues të autoriteteve vendore dhe të partisë Social-Demokrate suedeze, të cilët vizituan kryeqytetin shqiptar dhe Bashkinë e Tiranës. Takimi u organizua edhe falë mbështetjes së Fondacionit “Olof Palme”, një fondacion me shtrirje ndërkombëtare, i cili prej vitesh në Shqipëri mbështetet lëvizjet solidare dhe politikat e majta sociale, në funksion të përmirësimit të jetës së qytetarëve.

Teksa vlerësoi projektet sociale dhe punën e bërë me mbështetjen e kësaj organizate, kryebashkiaku Veliaj theksoi se partneriteti me “Olof Palme” është një mundësi drejt eksperiencave më të mira. “Jam vërtet mirënjohës sepse kemi bërë punë të jashtëzakonshme, edhe me kontratën sociale, edhe me grupet e interesit, kanë qenë këto politika të majta që na kanë çuar drejt këtyre vendimeve, si: Transporti falas për studentët, pagesa e gjysmës së konvikteve për studentët nga Bashkia e Tiranës, aksesi në teknologji dhe trajnimet në qendrën “TUMO”, të paguara prapë nga Bashkia e Tiranës, transporti falas për pensionistët nga nga 1 janari i vitit tjetër, prapë e paguar nga Bashkia e Tiranës, dhe nga shtatori tjetër ushqim falas për fëmijët në shkolla. Këto janë politikat e majta, ndaj besoj fort se partneriteti me “Olof Palme” ka qenë një mundësi për të parë eksperiencat më të mira”, u shpreh Veliaj.

Ai theksoi se eksperienca e marrë nga vendet skandinave dhe kryesisht nga Suedia, ka shërbyer që Bashkia e Tiranës të integrojë, në vendimmarrjet e saj, politika të mirëfillta që kanë si synim barazinë sociale dhe përmirësimin e jetesës së përbashkët dhe kryesisht shtresave më në nevojë.

“Tani jemi duke menduar sesi do të bëjmë qendrën më të madhe në Ballkan për të ndihmuar fëmijët e spektrit autik. Ne mund të subvencionojmë edhe transportin, edhe konviktet, edhe ushqimin, ndaj them se ia ka vlejtur investimi dhe eksperienca që kemi marrë nga vendet skandinave, por sidomos nga Suedia dhe fondacioni “Olof Palme”, për të injektuar edhe në nivelin lokal politika të mirëfillta që ndihmojnë njerëzit më shumë në nevojë”, tha kreu i Bashkisë.

“Olof Palme International Center” është organizata ombrellë e lëvizjes punëtore suedeze për solidaritet ndërkombëtar. Kjo organizatë punon globalisht për demokracinë, të drejtat e njeriut, drejtësinë sociale, paqen dhe qëndrueshmërinë, përmes një tranzicioni të drejtë, në frymën e Olof Palme. Ajo mbështet lëvizjet dhe partitë progresive sociale që ndryshojnë shoqëritë dhe jetën e përditshme të njerëzve.



Skip to toolbar