Policia Bashkiake ka nisur të premten shembjen e godinës së xhamtë që ndodhet përpara stadiumit të ri “Arena Kombëtare”.
Godina katër katëshe prej xhami shërbente si një qendër biznesi, ndërsa pronar i saj është Ervis Martini, një emër i njohur për policinë dhe drejtësinë.
Edhe kryebashkiaku Veliaj teksa ka komentuar shembjen e godinës ka shkruar se nuk do të lejohen ndërtimet pa leje të “të fortëve” ndërsa ka akuzuar paraardhësin e tij Lulzim Bashën për lejimin e kateve shtesë në këtë godinë.
“Çibani i fundit! Ikën ngrehina e mbetur nga aksi qëndror i Tiranës për ta hapur plotësisht Sheshin Italia për Arenën Kombëtare. Shpronësim për ata me leje, prishje për të fortët që shtuan katet pa leje në kohë të Lulit e Kunatit famëkeq”, shkruan Veliaj.
Ervis Martini është një i emër i njohur për policinë dhe për drejtësinë në vend. I njohur si pronar i disa bizneseve kryesisht në fushën e lojërave të fatit. Ka qënë i dënuar me burg dhe emri i tij ka dalë edhe në dosjen “Shullazi”. Martini mbeti i plagosur nga ngjarja e famshme në Bllok në tetor të vitit të kaluar, si pasojë e një sherri mes bandave ku mbeti i vrarë Fabiol Gaxha.