Studentët e Tiranës mund të pajisen me abonenë falas të autobusit që në fillim të vitit të ri akademik. Kryebashkiaku Erion Veliaj u shpreh se karta e Studentit që sot ofron 1600 shërbime, shërbim kryesor ka pikërisht abonenë studentore.
“Karta e Studentit, siç e dini ofron sot 1600 shërbime, por shërbim kryesor, edhe si vlerë financiare, ka abonenë e përgjithshme falas. Bëhet fjalë për 22.500 studentë dhe ne kemi parashikuar 13.5 milionë në muaj, vlerë e cila do mbulohet e gjitha nga buxheti i Bashkisë së Tiranës,” u shpreh Veliaj.
Në mbledhjen e sotme të Këshillit Bashkiak u vendos që procedura për marrjen e kësaj karte të nisë që në muajin tetor, ndryshe nga vitet e tjera që fillonte pas nisjes së vitit të ri akademik.
Pajisja e studentëve me Abone Studenti, tashmë prej pothuajse një viti, bëhet falas nëpërmjet sistemeve elektronike të Kartës së Studentit.
Fjalën e tij në mbledhjen e sotme të Këshillit Bashkiak, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj e nisi me shkollat e reja që janë çelur në kryeqytet këtë vit të ri arsimor. Veliaj tha se pas 40 shkollave të reja që u hapën një vit më parë, muaji shtator ka nisur mbarë me 9 shkolla të reja dhe moderne.
“Janë disa shkolla që i kemi ndarë në dy lote. Një lot janë shkollat që bën Bashkia e Tiranës dhe aty kemi ecur pak më shpejt sepse ka edhe më pak burokraci, duke qenë se është vetëm një institucion. Ndërkohë, kemi një paketë tjetër shkollash, që menaxhohet nga BE-ja, të cilat kanë një procedurë pak më të gjatë. Hapëm shkollën “Lekë Gjiknuri” te Medreseja. Këta që s’bënë asnjë shkollë, që edhe shkollën e Medresesë e kthyen në zyra për Ujësjellësin, ne e rikthyem në shkollë. Për të gjithë prindërit që kanë pyetur për shkollën “Emin Duraku”, kemi pasur një situatë të mbartur nga vitet “e lavdishme” ’90, ku është legalizuar dhe është bërë një ndërtim pa leje ngjitur me murin e shkollës. Por më në fund është zhbllokuar edhe ajo situatë. Kemi pasur disa pyetje edhe nga kolegët e opozitës për shkollën “Partizani”, ka pasur ankimime. Procedura thotë që duhet të presim derisa të mbarojnë ankimimet. Jemi në javën e fundit të procedurës për të blerë të gjitha materialet didaktike dhe do të vijojmë edhe aty. E njëjta me “Xhezmi Dellin”, “Asim Vokshin” dhe me “Bedri Llagamin”,” u shpreh ndër të tjera Veliaj.
Ndërkohë, puna vazhdon edhe me shkollat e tjera, përfshirë ato në lagjen Rilindja, në Astir dhe në zonën e Liqenit të Thatë e Sauk.