Kryebashkiaku Erion Veliaj ka reaguar për mediat pas depozitimit të ankimit në Gjykatën Kushtetuese , ku kërkon shfuqizim të vendimit të GJKKO për kalimin në themel të ccështjes penale në ngarkim të tij dhe shpalljen antikushtetues të nenit 14 për SPAK e GJKKO pasi sipas tij e bën gjyqtarin të varur.
Veliaj kërkon pavlefshmëri të të gjitha veprimeve të kryera mbi bazën e vendimit të 9 shkurtit 2026, dhe të shpallen antikushtetuese dy dispozitat ligjore që kanë kontribuar drejtpërdrejt në cenimin e të drejtave kushtetuese të tij.
Kryebashkiaku socialist thotë se procesi është zhvilluar në shkelje të rëndë të të drejtave themelore, i është mohuar koha reale për të analizuar një dosje me dhjetëra mijëra faqe, gjykimi është zhvilluar në kushte që cenojnë pavarësinë dhe paanshmërinë e gjykatës dhe se është trajtuar në mënyrë të tillë që cenon prezumimin e pafajësisë dhe dinjitetin njerëzor, përfshirë mbajtjen në kushte izolimi gjatë seancave gjyqsore.
Sipas tij, kjo nuk është thjesht një çështje individuale, por një sfidë për rivendosjen e rendit kushtetues dhe lidhet drejtpërdrejt me mënyrën se si funksionon drejtësia në këtë vend.
