Kreu i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu, dha mesazhin e tij në ceremoninë e lamtumirës të nënkomisariat Saimir Hoxha, i cili u vra ditën e djeshme në krye të detyrës nga 21-vjeçari Aldi Rama.
Në fjalën e tij, kryepolici Veliu tha se vrasja e nënkomisariat është një dhimbje e madhe jo vetëm për familjarët, por edhe për të gjithë policinë, por sipas tij, është edhe një burim force për të vijuar luftën ndaj krimit.
“Këtë pikëllim e kanë shprehur edhe në qindra mesazhe e komente nga dje e sot të dërguara në adresën e Policisë së Shtetit. Të nderuar familjarë të nënkomisar Saimir Hoxhës, ju nuk do të jeni vetëm asnjëherë, jeni pjesë e familjes së madhe, që është Policia e Shtetit, dhe do ju gjendemi përherë pranë.
Ky moment i ndarjes nga Saimiri është shumë i vështirë jo vetëm për familjen, por për gjithë policinë, por edhe burim force për të vijuar luftën kundër krimit. Përulemi para trupit të heroit, duke premtuar se nuk na step asnjë moment frike. Çdo vështirësi vetëm na qartëson rrugën, ku të ecim për një shoqëri më të sigurt e më të mirë. U prehsh në paqe miku ynë, të paharruara do të jenë përjetë kujtimi dhe vepra jote”, tha Ardi Veliu.