Vëllai i 34-vjeçarit të ekzekutuar në Mirditë, 7 muaj më parë vrau fqinjin në sy të djalit dhe gjatë dëshmisë në polici, deklaroi se e kishte kryer krimin në gjendje të dehur, pasi viktima e kishte sharë. Ndue Zefi vrau mëngjesin e 24 shkurtit në qytetin e Durrësit, fqinjin e tij, Martin Ndreca pasi ky i fundit i kishte ofenduar njerëzit e familjes. Ndreca u qëllua me 5 plumba nga Zefi duke mbetur i vdekur në vend, pas një konflikti që patën në lokal, siç tregohet dhe vetë në dëshminë e Zefit. Ky i fundit u vetëdorëzua në Policinë e Shkodrës mëngjesin e 26 shkurtit, ku pranoi edhe autorësinë e krimit.
Dëshmia e Ndue Zefit për vrasjen e fqinjit:
Gjithçka ndodhi shumë shpejt. Unë isha në gjendje të dehur dhe i papërgjegjshëm. Tashmë që jam më i qetë, ndihem shumë i penduar për veprimin tim aspak normal. Historia është kjo: Unë punoj si shofer me një firmë. Atë ditë (të shtunën) kisha marrë rrogën. Nga pasditja shkova te lokali dhe po pija vetëm në një tavolinë. Pas disa orësh, në lokal hyri edhe Martini, me të cilin sikurse theksova, kishim njohje të vjetra që kur kishim jetuar në fshatin Adriatik të Laçit disa vite më pare.
“Duke qenë se njiheshim, e ftova të më bashkohej në tavolinë, por ai nuk pranoi, madje më përbuzi. Aty nisi gjithçka. Unë i kërkova llogari në njëfarë mënyre, ndërkohë Martini, edhe pse konstatoi se isha në gjendje të dehur, vazhdoi të më përbuzte dhe ofendonte. Aty ndodheshin edhe persona të tjerë, me të cilët kishim njohje. Martini më shau nga nëna, motra dhe gruaja, s’më la gjë pa thënë. “Shko re pijanec, do ulem unë me ty, ti një copë shofer je, kurse unë biznesmen. Nuk e ul unë veten të rri me ty etj., etj.”. Në këto kushte, unë u preka shumë. Për më tepër, mbeta shumë i ofenduar. Ashtu sikurse isha në gjendje të dehur, shkova në shtëpi dhe mora armën. E prita aty në afërsi të shtëpisë.
Në momentin që erdhi, i them pse më ofendove, të kisha ndonjë borxh? Ai prapë mu kthye në të njëjtën mënyrë, duke më sharë nga njerëzit e familjes. Aty nuk durova dot dhe e qëllova disa herë, duke e lënë të vdekur në vend. Pas ngjarjes mora makinën dhe doja të ikja në Greqi. Pa arritur në Fier, hodha armën dhe më pas shkova në Gjirokastër. Desha të kaloja kufirin, por kisha frikë mos ishte lajmëruar Policia dhe më arrestonin në Kakavijë. Kështu, u ktheva mbrapa.