Më të zellshmit në mbrotje të teatrit kombëtar janë shfaqur të mërkurën dy regjisorët Edmond dhe Robert Budina.
Në krah të kryetarit të PD-së, Basha, dy vëllezërit Budina kërkuan që populli të ngrihet në këmbë për të mbrojtur godinën e teatrit kombëtar.
“Është një nga ditët më të dhimbshme të jetës sime, i bëj thirrje dhe kryeministrit, që më ke zënë prej krahu dhe më ke tërhequr zvarrë, u bëj thirrje të gjithëve që të mos tentojnë më që të prishin këtë pasuri kombëtare. Unë them që ky është fundi i demokracisë shqiptare, ky është një regjim fashist, prandaj ky popull duhet të ngrihet i gjithi në këmbë.
Teatri do të jetë varreza e fundit e këtij regjimi, unë falenderoj popullin e Tiranës që na ka mbështetur, dhe është pranë nesh. Të dashur miq mos u shisni për një copë bukë, hajdeni që të jemi bashkë, të ngrihemi të gjithë bashkë për të mbrojtur demokracinë dhe lirinë”, u shpreh Edmond Budina.
Ndërsa regjisori Robert Budina akuzoi policinë e i kishin grisur bluzën kur ai shtyu gardhin e policisë së bashku me protestues në tjerë në përpjekje për t’u futur në godinën e teatrit.
“Po përdoren si mish për top policët dhe këta punëtorët. Më grisën mua, më kapën, më shtynë, ia lejomë vetes edhe ndonjë thyerje kockash. Mi morën policët këpucët, mi grisën ata rrobat dhe ne tani do grisim shtetin. Do bëjmë rezistencë është kalaja e fundit e demokracisë”,- tha ai.
Protesta e aktivistëve të Aleancës për Mbrojtjen e teatrit ka nisur në orën 7:00 të mëngjesit të mërkurës, kur nisi boshatisja e objekteve të Teatrit për t’i hapur rrugën shembjes së tij dhe ndërtimit të teatrit të ri. Protestës së artistëve më pas iu bashkuan militantë të PD-së, ish deputetë të kësaj partie dhe më pas kryetari i saj Lulzim Basha duke dhënë protestës së artistëve nota politike.