Vendimi, ekspertizë e thelluar për banesat e dëmtuara rëndë nga tërmeti

AKTUALITET


Qeveria ka vendosur që të bëhet një akt-ekspertizë e thelluar për të gjitha banesat e dëmtuara më rëndë nga tërmeti i 26 nëntorit. Në Fletoren Zyrtare është publikuar dje vendimi i qeverisë, i marrë në 15 janar, që përcakton kryerjen e akt-ekspertizës së thelluar për banesat e dëmtuara më rëndë, ku oponencë do të bëjë mbi këto akte Instituti i Ndërtimit.

Sipas këtij vendimi, njësitë e vetëqeverisjes vendore ose autoritetet përgjegjëse shtetërore do të kryejnë akt-ekspertizë të thelluar për të gjitha objektet për të cilat kërkohet një rivlerësim më i thelluar, mbështetur në akt-konstatimet ose akt-vlerësimet paraprake të Institutit të Ndërtimit apo të grupeve përkatëse të inspektimit.

“Akt-ekspertiza e thelluar i vihet në dispozicion Institutit të Ndërtimit për kryerjen e oponencës. Instituti i Ndërtimit jep opinionin e tij, i cili mbizotëron mbi akt-ekspertizën e thelluar dhe zbatohet nga njësitë e vetëqeverisjes vendore ose autoritetet përgjegjëse”, thuhet në vendim.

Po ashtu, në vendim përcaktohen edhe tarifat për kryerjen e akt-ekspertizës së thelluar për objektet, publike ose private, që janë klasifikuar me shkallë dëmtueshmërie DS4 dhe DS5.

Për objektet pa projekt teknik, vendimi parashikon realizimin e dokumentimit gjeometrik dhe teknik të strukturës së objektit, që përfshin realizimin detajimit gjeometrik, planeve të strukturave dhe të dimensionimeve gjeometrike të elementeve strukturale; projektimit simulues dhe studimit gjeologjik dhe projektit simulues të themeleve. Për zbatimin e këtij vendimi ngarkohen njësitë e vetëqeverisjes vendore dhe Instituti i Ndërtimit për zbatimin e këtij vendimi.



Skip to toolbar