Anulimi i datës së zgjedhjeve nga Presidenti Meta nuk i ka ndalur përfaqësuesit e mazhorancës në fushatën elektorale, ku pavarësisht se është ditë e diel, kandidatët kanë lajmëruar që në mëngjes se sot do të vijojnë takimet elektorale siç ishin planifikuar, duke i qëndruar deklaratës së Ramës, i cili iu përgjigj Metës nga Berati, kur tha se zgjedhjet do të bëhen me 30 qershor.
I pari që ka bërë njoftim nëpërmjet rrjeteve sociale ka qenë zëvendëskryeministri Erion Braçe, i cili ka postuar foto me shtabin elektoral në Divjakë, që po punojnë për zgjedhjet.
Më pas, kryebashkiaku i Tiranës ka postuar një foto me disa fëmijë, ku shkruan se “bëhet fjalë për brezin e së ardhmes, jo për zgjedhjes e radhës”. Madje, ai ka planifikuar të dielën takime elektorale në Baldushk.
Po ashtu edhe kryeministri Rama pritet që të jetë të dielën paradite në Burrel dhe pasdite në Dibër për të prezantuar kandidatët për kryetar bashkie në këto dy qytetet, megjithëse ende nuk ka pasur një njoftim zyrtar nga zyra e kryeministrisë.