Analisti Shpëtim Nazarko i ftuar në ‘RealStory’ në ‘News24’ foli për situatën politike në vend, duke u ndalur tek debatet e fundit mes liderëve të partive politike PD, PS dhe LSI.
Nazarko u shpreh se LSI mbetet një faktor shumë i rëndësishëm politik dhe ka qenë e vendosur në pozicionin më komod ndryshe nga partitë e tjera ajo e Partisë Socialiste dhe Partisë Demokratike, ndërsa kjo e fundit sipas tij ka dalë më e dëmtuar.
“Është e kuptueshme që i dëmtuar ka dalë PD. Situata në 2017 ua gravua. Socialistët ishin të pakënaqur, pasi e shfrytëzuan LSI në 2013, dhe nuk arritën të bënin të njëjtën gjë në 2017. Vendimi i partive të mëdha ishte heqja qafe e LSI. Nëse PD e ka filluar aleancën me LSI në 2009, në 2011 kur LSI ka marrë nga PD një pjesë të qyteteve të mëdha ka marrë dhe një pjesë të votave. Unë besoj LSI është në pozicionin më komod nga të gjithë. LSI ngelet një faktor shumë i rëndësishëm , unë medoj që LSI mund ti ketë kërkuar më shumë se sa duhet PD-së nisur nga ky pozicion komod. PD në këto 30 vite nuk ka pasur asnjëherë vota më shumë se PS dhe vetëm LSI mund ta ndihmonte. Mendoj që në 2017-2021 LSI ka qëndruar brenda këtij pozicioni komod. Ka shumë mundësi që Rama duke e ditur këtë histori, ka shfrytëzuar edhe ai. LSI ka treguar që mund të shkojë tek PS. Që të shpëtosh nga kurthi i LSI duhet patjetër të ndërtosh një sistem tjetër zgjedhor”, tha Nazarko.
Nga ana e saj kryetarja e LSI-së Monika Kryemadhi theksoi se votuesi kryesor i Lëvizjes Socialiste për Integrim është i ri
“Votuesi kryesor i LSI është i ri. Hyrjet dhe daljet kanë ndodhur, nuk po them që nuk kanë ndodhur. Sa i përket numrave të PD, demokratët i kanë ikur ashtu siç i kanë ikur LSI. Sa i përket mandateve dhe numrit të votave të zgjedhjeve, mos harroni votat e pavlefshme. Për herë të parë ka një përqindje të madhe. Përse PS nuk i ka 74 mandate? Janë shumë të qarta mandate e Beratit, Durrësit, Korçës , Vlorës të Lezhës mund të quaj edhe të Dibrës. Ndërkohë ka mbi 10 mijë vota të pavlefshme dhe sa nga këto janë të LSI? Çdo fletë e pavlefshme ka numrin 6”, tha Kryemadhi.