Venecia: Meta nuk ndoqi rregullat kushtetuese

POLITIKË


Komisioni i Venecias ka publikuar opinionin final për presidentin Ilir Meta, lidhur me veprimet e këtij të fundit sa i takon anulimit të zgjedhjeve të 30 qershorit, pasi opozita nuk pranoi të merrte pjesë. Në opinionin e “Venecias” thuhet se zgjedhjet lokale anulohen vetëm në situata emergjente, por edhe atëherë i duhet Presidentit një bazë ligjore specifike, por rregullat e zbatueshme kushtetuese për situata emergjente nuk ishin ndjekur në këtë rast. Pra me këtë konkluzion, Venecia ka deklaruar se nuk u ndoqën rregullat kushtetuese për shtyrjen e zgjedhjeve.

Konkretisht, në përgjigje të kërkesës për një mendim nga Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Komisioni i Venecias arrin në përfundimin se “në mungesë të një dispozite ligjore për këtë çështje (anulimin e zgjedhjeve), Presidenti mund të anulojë zgjedhjet për organet e qeverisjes vendore në një situatë e cila plotëson kriteret për marrjen e masave emergjente”. “Edhe atëherë Presidentit i duhet një bazë ligjore specifike – ad-hoc – për të shtyrë zgjedhjet”, thuhet në opinionin e Venecias, i cili mban datën 14 tetor.

Sipas Venecias, ky përfundim mbështetet nga rregulli i përgjithshëm interpretues, sipas të cilit “rregullimi i shprehur i kompetencave të urgjencës në Kushtetutë dhe ligjet kufizon përdorimin e çdo fuqie plotësuese të pashkruar të emergjencave në situata shumë të jashtëzakonshme; kryesisht për situata me pamundësi faktike ose juridike të cilat nuk parashikohen në mënyrë të qartë nga ligji i shkruar i urgjencës”.

“Anulimi i zgjedhjeve është i mundur vetëm në situata që plotësojnë kërkesën për shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme. Sidoqoftë, rregullat e zbatueshme kushtetuese për situata emergjente nuk ishin ndjekur në këtë rast. As nuk kishte një konsensus politik, i cili do të lejonte krijimin e një baze ligjore ad-hoc”, shprehet Venecia në opinionin përfundimtar.

Po ashtu, sipas ekspertëve, anulimi i zgjedhjeve prek gjithashtu të drejtat elektorale, të njohura nga instrumentet ndërkombëtare të të drejtave të njeriut. “Mungesa e një baze ligjore dhe disponueshmëria e alternativave (shtyrja e zgjedhjeve sipas masave emergjente sipas nenit 170 të Kushtetutës ose rifillimi i dialogut politik pas zgjedhjeve) e bëjnë ndërhyrjen në të drejtat elektorale jo proporcionale”, shprehet Venecia, që në opinionin e saj vë në dukje se bojkoti zgjedhor nga partitë politike, edhe nëse ato përfaqësojnë një pjesë të rëndësishme të elektoratit, nuk mund të parandalojë që të bëhen zgjedhje të rregullta. “Përndryshe, këto parti do të merrnin levën për të parandaluar plotësisht çdo zgjedhje”, deklarojnë ekspertët.

Venecia përmend edhe parimin e “Contrarius actus”, i cili është një parim që në të drejtë lidhet me rezervën e kompetencës. Kjo do të thotë që në nxjerrjen e një akti anulimi, ç’dekretimi, tërheqje, duhen përdorur të njëjtat mjete dhe të njëjtat procedura që u përdoren për shpalljen apo dekretimin e një akti. Por tashmë në të kundërt, pra jo për shpalljen, por për anulimin. Pra Meta, për anulimin e dekretit duhet të ndiqte të njëjtën rrugë dhe procedurë si ajo që ndoqi për shpalljen.

 “Do të jetë Kuvendi dhe më në fund Gjykata Kushtetuese që do të përcaktojë nëse anulimi dhe shtyrja e zgjedhjeve lokale do të thotë një shkelje e Kushtetutës dhe nëse shkelja është e një karakteri serioz, i cili do të lejonte një shkarkim të Presidentit”, deklarohet në opinion. Pra në përfundim, Venecia ia lë në dorë Kuvendit për të vendosur nëse duhet shkarkuar Presidenti i Republikës, duke vënë në dukje se nëse do të ishin marrë parasysh disa veprime të mëhershme, si thirrjet për dialog, apo atakimi në gjykatë i dekreteve të presidentit, kjo mund t’i siguronte Kuvendit elementë për të plotësuar kriteret për shkarkimin e tij.



Skip to toolbar