Venecia vulos 30 qershorin, “shuplakë” bojkotit të opozitës

#NËRADAR


Raporti i Venecias përveçse i dha fund “dyshimeve” për shkeljen e Kushtetutës nga presidenti për anulimin e datës së zgjedhjeve, i dha fund edhe debatit për ligjshmërinë e zgjedhjeve të 30 qershorit, dhe për më tepër vjen si një “shuplakë” për bojkotin e opozitës.

Në një nga pikat e raportit të Venecias shkruhet qartë se bojkoti i zgjedhjeve edhe nga ato parti që kanë një numër të konsiderueshëm mbështetësish në elektorat, nuk përbën arsye që të anulosh zgjedhjet pasi kjo përbën një precedent të rrezikshëm për t’u përsëritur në të ardhmen dhe një rrugë që partitë mund ta përdorin në vazhdimësi për të bllokuar proceset zgjedhore.

“Bojkoti elektoral i subjekteve politike, edhe nëse ata përfaqësojnë një pjesë të madhe të votuesve nuk mund të ndalojë zhvillimin e zgjedhjeve të rregullta. Përndryshe, këto parti do të fitonin mundësinë/avantazhin/levën të pengonin çdo proces zgjedhor”, shkruhet në raportin e Komisionit të Venecias.

Ky paragraf mbështet qëndrimin e maxhorancës e cila deri në fund nuk pranoi vendimin e Presidentit për të shtyrë datën e zgjedhjeve pasi kjo do të përbënte një precedent në rrezikshëm në të ardhmen. Në rastin e Shqipërisë partitë opozitare nuk u ndaluan të mos merrnin pjesë në zgjedhje, ata zgjodhën me dëshirë t’i bojkotonin zgjedhjet. Vendim që është dënuar njëzëri nga faktori ndërkombëtar. Ndërsa lidhur me dhunën e ushtruar për të penguar zgjedhjet Komisioni i Venecias rekomandon se këto raste duhet të ndiqen sipas parashikimeve në Kodin Penal.

Një tjetër pikë e raportit të Komisionit të Venecias është edhe fakti se anulimi i zgjedhjeve shkel një të drejtë “humane” të shqiptarëve siç është ajo për të votuar.

“Anulimi ose shtyrja e zgjedhjeve ndikon drejtpërdrejt në të drejtën e votës, që është një e drejtë  njerëzore. Një kufizim i tillë duhet të jetë proporcional. E drejta e votës është e lidhur me zgjedhjet.

Midis dy zgjedhjeve, kjo e drejtë ekziston, por nuk mund të ushtrohet. Shtyrja e zgjedhjeve e kufizon të drejtën e votës”, shkruhet në raport.

Në përfundim të raportit prej 19 faqesh, Komisioni i Venecias e thotë qartë se presidenti tejkaloi kompetencat duke anuluar zgjedhjet e 30 qershorit, pasi Kushtetuta nuk ia njeh këtë të drejtë atij, në rast se nuk ka një gjendje të jashtëzakonshme në vend dhe në rast se kjo nuk arrihet përmes një marrëveshje politike, siç ishte në rastin e Shqipërisë. Pra Presidenti e mori vendimin për të anuluar zgjedhjet e 30 qershorit pa bërë asnjë konsultë paraprake më partitë politike në vend. Madje edhe partitë opozitare kishin deklaruar se do t’i bojkotonin zgjedhjet por asnjëherë nuk kishin artikuluar kërkesën që kërkonin shtyrjen e tyre. Madje qëndrimi i opozitës në atë kohë ishte i prerë “nuk ka zgjedhje me Edi Ramën kryeministër” dhe dukej qartë si një përpjekje për të krijuar precedentin e rrezikshëm që përmend edhe Komisioni i Venecias, atë për të vendosur kushte dhe për të bllokuar sistemin në tërësi. Ndërkohë që opozita nuk ia rriti qëllimit të bllokonte zgjedhjet, përpjekjen  e fundit e bëri Presidenti duke i anuluar ato, “në shkelje të Kushtetutës”, siç konstaton Venecia, por as ai nuk ia doli mbanë./realstory.al

Raportin e plotë mund ta lexoni këtu:



Skip to toolbar